Riad Rashiti, kandidat nga PDK-ja për kryetar të Gjilanit, ka thënë se uzurpimet në këtë komunë gjatë mandatit të fundit qeverisës janë të mëdha si asnjëherë më parë.
“Mos të flasim për uzurpimet, ato në Gjilan janë të jashtëzakonshme. Kanë ardhur në pushtet me (luftimin v.j.) të këtyre gjërave dhe ku e kanë sjell komunën”, ka thën Rashiti.
Ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Gjilanin”, ka specifikuar si problem edhe mosrënimin e objekteve për të cilat kishte vendime për një gjë të tillë.
“Janë tetë vendime për rrënime dhe asnjë s’ka ndodhë më 20024. Më 2023 janë në listë 15 vendime për rrënime, asnjë s’ka ndodhë. Gjoba e shirita që kanë vendosur ka plot, por e kanë vazhduar punën”, ka thënë Rashiti.
Po ashtu ka folur edhe për një rast tjetër.
“Një rast tjetër paradoksal, komuna e Gjilanit ka lëshuar leje të jashtëligjshme të ndërtohet pompë e benzinës, afër vendit ku është planifikuar çerdhja e fëmijëve. Ajo është e ndaluar. Çka ka ndodhur, është ndërtuar, ka pasur tejkalim, ka shkuar komisioni, ia ka vënë shiritin. Ka marrë vendim për rrënim, ka hesht. Kanë vazhduar punimet. Pas disa muajsh ka përfunduar projekti, prapë inspeksioni i ka lëshuar leje për ushtrim të veprimtarisë. Kjo askund s’ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë Rashiti.
Po ashtu ka mohuar se opozita e ka lënë komunën pa buxhet.
“Drejtorinë për buxhet dhe financa e ka lënë me muaj pa drejtor, kjo flet shumë. Si mundet me u anku te opozita e te kuvendi komunal për bllokim të buxhetit, kur ky (kryetari v.j.) e ka bllokuar vetë emërimin e drejtorit”, ka thënë ai.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
