Arbëri

Ndërrohen komandantët në tri stacione policore

Policia e Kosovës

Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë ndërruar komandantët në stacionet policore në Pejë, Klinë e në Suharekë.

“Betimi për Drejtësi” raportoi të premten se nga pozitat janë shkarkuar: komandanti i Policisë në Pejë – Idriz Atashi, komandanti në Suharekë – Afrim Sylaj dhe komandanti në Klinë – Ragip Bytyqi.
Të pyetur lidhur me shkarkimet e raportuara dhe arsyet për këto ndryshime, Policia ka treguar emrat e caktuar komandantë në rajonet në fjalë.

“Referuar kërkesë suaj ju informojmë se, bazuar në strukturën organizative, nevojat policore dhe kërkesën për lirim nga detyra, menaxhmenti i PK-së ka caktuar në pozita: Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, kapiten Argjent Gashi, ka kërkuar lirim nga pozita e komandantit të Stacionit Policor Lipjan dhe kërkesa e tij është aprovuar. Në pozitën e Komandantit të Stacionit Policor në Lipjan, është emëruar kapiten Brahim Shatrolli. Ndërsa Kapiten Faik Jahmurataj është caktuar Komandant i Stacionit Policor në Pejë. Kurse Kapiten Enis Lluka është caktuar Komandant i Stacionit Policor në Klinë. Si dhe Kapiten  Afrim Sylaj, nga Stacioni Policor Suharekë është caktuar në Qendrën  Rajonale  Operative – DRP Prizren”, thuhet në përgjigje.

Ndryshimet, sipas raportimeve, lidhet me ngjarjet e fundit në këto rajone.

Në Suharekë, Prokuroria Themelore ka nisur hetimin për vdekjen e Nazif Kolollit, që ndodhi javën e shkuar deri sa po mbahej në dhomën e ndalimit prej 48-orësh në Stacionin e Policisë në këtë komunë. (Detajet)

E në fund të qershorit, tre policë u arrestuan në Klinë pasi dyshohen për tejkalim të kompetencës duke keqtrajtuar fizikisht një person të prangosur në oborrin e shtëpisë së tij. (Detajet)