Parlamenti Evropian, përmes raportit që pritet të votohet në Komisionin për Politikë të Jashtme të mërkurën në Bruksel, pritet të shprehë mbështetje të fuqishme për synimet e Kosovës për integrim në BE, të përsërisë kërkesën për njohjen e pavarësisë nga të gjitha shtetet anëtare, por edhe të shprehë keqardhje për ngërçin politik dhe polarizimet që po e shoqërojnë vendin edhe një palë zgjedhje, si dhe për rrezikun që Kosova, si pasojë e kësaj, të humbë mjete të konsiderueshme financiare.
Raporti pritet të theksojë se viti 2025 ka qenë i humbur për shkak të ngërçit politik dhe se edhe muajt e ardhshëm mund të humben për Kosovën për shkak të procesit të ri zgjedhor, në të cilin vendi shkon pas dështimit për të zgjedhur presidentin. Mjetet financiare nga Plani i Rritjes mund të humben pasi Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme brenda periudhës së caktuar kohore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAutor i këtij raporti është eurodeputeti estonez Riho Terras. Në draftin e raportit pritet të vlerësohet fakti se zgjedhjet e vitit 2025 janë zhvilluar në mënyrë të rregullt, është përshëndetur formimi i qeverisë, por nuk është siguruar edhe kompromisi për zgjedhjen e presidentit.
Koha mëson se janë dakorduar mes grupeve kryesore parlamentare edhe amendamentet e kompromisit dhe se është konfirmuar edhe një herë ekzistimi i një shumice që mbështet shtetësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në BE.
Kështu, do të thuhet se: “Mbështetet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Përsëritet thirrja për shtetet anëtare në Këshill që t’i bëjnë ftesë Komisionit Evropian për të dërguar pyetësorin pa vonesa të reja dhe të japë mendimin e bazuar në merita për aplikimin e vendit për anëtarësim në BE”.
“Thërret Këshillin që të veprojë shpejt, përfshirë edhe duke i dhënë statusin e kandidatit kur kriteret përkatëse të jenë përmbushur”, thuhet në tekst.
“Bëjmë ftesë për pesë vendet mosnjohëse, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri tash, që ta bëjnë këtë pa vonesa, për të mundësuar avancimin e Kosovës në baza të barabarta me kandidatët e tjerë”, pritet të thuhet në raport. Po ashtu, do të rikujtohet se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 22 korrik të vitit 2010, ka dhënë mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Pos raportit për Kosovën, nesër do të votohet edhe raporti për Serbinë. Në të dyja raportet pritet të bëhet thirrje për progres në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas Parlamentit Evropian, duhet të rezultojë me njohjen e ndërsjellë.
Parlamenti do t’i kërkojë Serbisë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, pasi kjo bie ndesh me obligimet nga marrëveshja për normalizimin e raporteve.
Do të mirëpritet edhe deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila ndihmon në përballjen me kërcënimet hibride të sigurisë në rajon.
Po ashtu, do të shprehet edhe një herë keqardhje për faktin se Milan Radoiçiq, udhëheqësi i sulmit terrorist në Banjskë, nuk është sjellë ende para drejtësisë.