Arbëri

Raporti i EULEX-it: Kur të akuzuarit sëmuren, gjykatat nuk e verifikojnë gjendjen e tyre shëndetësore

Misioni i EULEX-it pas monitorimit që ua ka bërë gjykatave për një periudhë më shumë se një vit ka gjetur se shtyrje të shpeshta të seancave gjyqësore janë bërë shkaqe shëndetësore të të akuzuarve pa i verifikuar pohimet e të akuzuarve. E këtë javë është shtyrë për herë të tretë një rast për spiunazh në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Një prej këtyre shtyrjeve u bë pavarësisht vlerësimit të psikiatrit se i akuzuari ishte në gjendje ta përballonte shqyrtimin gjyqësor.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX-i ka gjetur se seancat në gjyqësorin kosovar janë anuluar shpesh shkaku i gjendjes shëndetësore të të pandehurve. 

Në bazë të “Raportit të monitorimit të drejtësisë”, në të cilën si mostër janë 478 seanca, nisur nga qershori i vitit të kaluar deri në korrik 2025, del se kur i akuzuari i ka thënë gjykatës se s’është mirë, gjykata nuk ia ka vërtetuar pohimet e tij. 

“Për më tepër, një nga arsyet më të shpeshta për shtyrjen e seancave në këso lloj rastesh mbeti mungesa e të pandehurit për shkak të sëmundjes. Megjithatë, EULEX-i vuri në dukje se në shumë situata gjendja shëndetësore nuk ishte verifikuar siç duhet nga trupi gjykues, dokumentet mjekësore ose ishin dorëzuar me vonesë, ose nuk ishin dorëzuar fare”, thuhet në raport.

Nga seancat joproduktive ose të anuluara, sipas EULEX-it , 17 për qind janë shtyrë shkaku i mungesës së avokatëve, kërkesës së tyre për kohë shtesë për përgatitje, ose shkaku që të pandehurit ishin të sëmurë. 

EULEX-i u ka bërë thirrje gjykatave që të vërtetojnë “sa më mirë që të jetë e mundur vërtetësinë e arsyeve të paraqitura për mungesën e palëve” dhe i inkurajoi ato të mos i pranojnë arsyetimet për mungesë që nuk mbështeten në prova me shkrim”.

E këtë javë është anuluar seanca në rastin ku Prokuroria Speciale i akuzon Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin për spiunazh me arsyetimin për gjendjen shëndetësore. 

Herën e parë më 22 shtator avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha, pati një seancë tjetër më urgjente. E herën e dytë më 13 nëntor, i akuzuari  Shabani i kërkoi Gjykatës Themelore në Prishtinë ta shtynte seancën meqë, siç tha ai, është në terapi të rëndë dhe nuk e di as se ku është.

Për ketë rast gjykata nuk u përgjigj në pyetjet e KOHËS lidhur me arsyet pse e shtyu seancën e 13 nëntorit.

Një dokument që e ka parë KOHA tregon se mjeku Ngadhnjim Rexhepi, që është edhe psikiatër, i ka thënë gjykatës se i akuzuari për spiunazh është në gjendje të mirë psikike. 
Në emailin që e ka parë KOHA thuhet se Shabani i ka normal parametrat vitalë fizikë, përmend terapinë që ai e përdor, si dhe përmban konstatimin se ai nuk ka ankesa të natyrës psikike.  
Këtë e vërteton edhe Prokuroria Speciale.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar sqarime nga gjyqtari i rastit që të ofrojë urdhrin për ekzaminim, duke përfshirë edhe arsyet për një vendim të tillë, pasi në seancën e kaluar raporti zyrtar i mjekut nga Shërbimi Korrektues ka konfirmuar që i pandehuri B.SH. është në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikike”.

E mbrojtësi i Shabanit, avokati Besnik Berisha, nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS, por të dielën ai bëri një reagim duke thënë se nuk po e zvarrit procesin.

“Pretendimi se ekzaminimi psikiatrik shërben për manipulim të drejtësisë është i pabazë dhe i dëmshëm për parimin e shtetit ligjor. Ai krijon presion mbi gjyqësorin, nxit perceptime të gabuara në opinion dhe rrezikon delegjitimimin e instrumenteve thelbësore të drejtësisë penale. Drejtësia vlerësohet nga saktësia e procesit, jo nga shpejtësia e tij; zvarritja nuk vjen nga ekzaminimi psikiatrik, por nga një gjykim i padrejtë”, tha Besnik Berisha. 

KOHA e ka pyetur gjykatën për arsyet e shtyrjes së dy seancave të kaluara, për bazën ligjore të shtyrjes së tyre dhe a u është mundësuar palëve ta kundërshtojnë urdhrin për ekzaminim psikiatrik. Por, Themelorja është përgjigjur vetëm duke përmendur faktin se e ka çuar të pandehurin në ekzaminim që nuk kryhet shpejt.

“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale PS.nr.13/2025 ndaj të akuzuarve B.SH. dhe M.Q., për shkak të veprës penale ‘Spiunazhi’, e caktuar për datë 20.11.2025, sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është anuluar, pasi trupi gjykues në këtë çështje penale ka urdhëruar një ekzaminim lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit B.SH., sipas propozimit të mbrojtjes së të pandehurit B.SH. Anulimi është bërë nga trupi gjykues dhe bazohet në faktin se është urdhëruar ekzaminimi psikiatrik i të pandehurit B.SH, i cili ekzaminim nuk mund të përfundohet në kohë të shkurtër.  Gjykata njofton se lidhur me caktimin e datës së radhës në këtë çështje penale, palët do të njoftohen paraprakisht, përmes ftesave të gjykatës”, u tha nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, pas publikimit të raportit të EULEX-it  ka thënë se do të përkujdesen për mbikëqyrje më të madhe në gjykata, veçanërisht në Departamentin Special.