Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit, i cili sipas rezultateve preliminare të deritashme ka siguruar edhe një mandat të ri, ka paralajmëruar “rikthimin” në Partinë Demokratike të Kosovës.
Ai në zgjedhjet e fundit ka fituar me subjektin “Për Drenasin Kampion”, në garë të ngushtë me vetë PDK-në. Garoi si i pavarur pasi PDK-ja vendosi të garonte me Petrit Hajdarin.
Përmes një postimi në Facebook të mërkurën Lladrovci ka thënë se nga ora 18:30 do ta hapin simbolikisht zyrën ku ishte selia e Degës së PDK-së në Drenas.
“Me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë njerëzore, institucionale e morale, shpreh respektin e thellë dhe falënderimin për çdo qytetar i cili kontribuoi që zgjedhjet në komunën tonë të zhvillohen në mënyrë shembullore. Megjithëse jemi në pritje të zyrtarizimit të rezultateve, kjo nuk na pengon të kemi një koktej për fitoren, jo vetëm fitore “Për Drenasin Kampion”, por fitore të qytetarëve krenarë e me integritet, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare dhe shtetndërtim. Me kandidatet dhe kandidatët për Kuvend me anëtarët e Shtabit zgjedhor, do të takohemi bashkë në zyrat ku ishim vendosur përkohësisht dhe së bashku, në ora 18:00, ndërsa rreth orës 18:30 do ta hapim simbolikisht zyrën ku ishte selia e Degës së PDK-së në Drenas, zyrë e cila me vite ka qenë burim i fitoreve”, ka shkruar ai.
Lladrovci tutje ka kërkuar edhe votë për PDK-në në komunat ku kjo parti është në balotazh.
“Ftoj të gjithë anëtarët e Shtabit zgjedhor “Për Drenasin Kampion” të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm e sollën fitoren meritore, të vazhdojnë angazhimin dhe japin kontribut me të gjitha mundësitë për fitore në degët e PDK-së të cilat janë në balotazh. Ky koktej nuk është përjashtim për ata që mendojnë ndryshe, as demonstrim i arrogancës së fitores, thjeshtë, është kthim te ambientet nga të cilat kishte dhe do të ketë vetëm fitore, me qytetarin e komunës së Drenasit në qendër dhe vizionit të heronjve tanë të luftës dhe paqes”, ka shtuar ai.
Për fitoren e Lladrovcit në Drenas, e ka uruar edhe kundërkandidati i tij nga PDK-ja, Petrit Hajdari.