Arbëri

Rama: Plani franko-gjerman për dialogun Kosovë- Serbi më i miri që ka qenë ndonjëherë në tavolinë

Plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi është vlerësuar si më i miri që ka qenë ndonjëherë në tavolinë nga dy kryeministrat e rajonit, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Pas mbledhjes së këtyre dy qeverive, që u mbajt në ditën e takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serbë Aleksandër Vuciq në Bruksel, Rama ka thënë se janë në krah të Kosovës, duke i uruar kthjelltësi, vendosmëri dhe sukses.

“Unë dua shumë të shpresojë dhe jam me gjithë zemër dhe mendje i angazhuar që çështja mes Serbisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën e një dialogu pa kthim dhe më shpejtë sesa vonë të jetë një çështje e dy vendeve dhe mos të jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin për vesh sa herë grinden në oborrin pas shSakollës. Mendoj se marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman është më e mira gjë që ka qenë në tavolinë, por ky është thjeshtë një opinion”, tha Rama.

Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka thënë se ky plani sjell normalizimin në rajon.

“Sa i takon qeverisë së Malit të Zi, ne maksimalisht e përkrahim dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Plani franko-gjerman është një plan i mirë se duhet me pas normalizim në rajon, ne nuk kemi të drejtë të themi se çka me bërë dhe si me vepruar politikisht, por ajo çka është ardhmëria jonë, është bashkëpunimi”, tha Abazoviq.

Në kuadër të mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Malit të zi janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi. Të dy kryeministrat nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e urës në lumin e Bunës si dhe marrëveshjen për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin e Shën Nikollë -Pulaj në territorin e Shqipërisë.

Më pas, u nënshkruan nga ministrat përkatës të dy qeverive, marrëveshje dhe memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë.