Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rama për procesin në Hagë: Besoj se niveli i ri i sensibilizimit, do të ndikojë në proces

Edi Rama

Kryeministri Edi Rama bëri një përmbledhje të ngjarjeve më të spikatura të javës në podkastin “Flasim”, ku në thelb vuri pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, aty ku foli edhe për situatën në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.

Ai u shpreh se përcolli botërisht shqetësimin kombëtar për atë që e quan “maskarada e pabesueshme e Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë”, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rama ka shtuar se beson se niveli i ri i sensibilizimit do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupit gjykues.

“Vizita në Washington për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes ishte padyshim momenti më i veçantë i kësaj jave. Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes. Më vjen mirë natyrisht për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova edhe pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, po mbi të gjitha përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës. Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot, pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare”, tha Rama.

Afro tre vjet ka zgjatur procesi në Gjykatën Speciale në Hagë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Në seancën e fundit, të katërtit, në deklaratat përmbyllëse u deklaruan të pafajshëm. Mbrojtja e tyre ka kërkuar lirimin, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili. Gjykatësit kanë tre muaj kohë për ta marrë një vendim për çështjen.

ZPS-ja akuzon ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, për ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

Ish-drejtuesit e UÇK-së janë arrestuar më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020. Dhomat e Specializuara procesin gjyqësor ndaj tyre e kanë nisur me dy vjet e gjysmë vonesë, përkatësisht në prillin e vitit 2023.


Rama: Sebep për vizitën në Prishtinë u bë një mik i imi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në podkastin e tij për vizitën në Kosovë dhe takimet e tij me krerët shtetërorë të Kosovës.

Ai ka thënë se “sebep” i kësaj vizite ishte ftesa e profesorit Ahmet Shala në promovimin e librot të tij “Kur Heshtja Fle’t”.

Ndërkaq takimet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, i ka quajtur pozitive.

“Shumë e veçantë ka qenë vizita në Prishtinë, në vigjilje të festës kombëtare të pavarësisë së Kosovës pas bombës së prokurorëve të Hagës mbi Kosovën dhe poashtu pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës. Sebepi i kësaj vizite ishte ftesa e një miku të kahershëm dhe një burri fisnik nga Prishtina, profesor Ahmet Shala, në promovimin e librit të tij ‘Kur Heshtja Fle’t, një libër që duhet lexuar për të mësuar më shumë mbi procesin në Hagë..”, tha Rama në podcastin e tij. Takimet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti ishin tejet pozitive, qoftë nga këndvështrimi i harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare me Vjosën, qoftë nga këndvështrimi i rritjes së bashkëpunimeve kombëtare me Albinin”.

Rama ka qëndruar javën e kaluar në Kosovë.