Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Tiranë.
Rama tha se në takim diskutuan mbi procesin e rrugës drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku deri më tash janë hapur gjashtëmbëdhjetë kapituj dhe tetë të tjerë do të hapen në ditët në vijim.
“Plani i përbashkët me Bashkimin Evropian është që të arrijmë të mbyllim negociatat në harkun e tri vjetëve nga 2024 deri më 2027. Është një plan ambicioz dhe një mundësi e jashtëzakonshme për ne, pasi janë rreshtuar yjet dhe Bashkimi Evropian sot si asnjëherë më parë është shumë i dëshiruar që të pranojë anëtarë të tij bazuar në meritë dhe rezultat. Aspekti tjetër për të cilin diskutuam është ecuria në rajon, kjo është e lidhur me arsyen pse Bashkimi Evropian është në gatishmëri për të pranuar anëtarët e tjerë dhe unë dëshiroj të përfitoj nga rasti, kjo do të jetë pjesë e diskutimit që t’i ftoj të gjithë kolegët e rajonit të mos e humbasin këtë moment që historia na e ka sjellë në derë”, tha Rama.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, një fjalën e tij pati një mesazh për qytetarët shqiptarë sa i përket anëtarësimit në familjen e madhe evropiane.
“Megjithatë, e gjitha kjo varet nga ecuria juaj nëse do të vijoni me të njëjtin ritëm dhe unë jam i sigurt që me këtë mesazh të fortë që kam për qytetarët shqiptarë dhe për ju Edi dhe ekipin tuaj, se në muajt në vijim, jam i sigurt që ju do të bëni një punë të shkëlqyer dhe vitin tjetër kur të vij për vizitë jam i sigurt që nuk do na duhet t’i përgjigjemi të njëjtës pyetje. Këtë do të dëshiroj të dëgjoj, që Shqipëria do të bëhet anëtare së shpejti”, ka thënë Costa.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndodhet për vizitë në Tiranë në kuadër të turneut nëpër vendet ballkanike, ku të mërkurën qëndroi për vizitë në Kosovë. Ai do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohet të premten në Tiranë.
Në samitin e gjashtë të radhës marrin pjesë mbi 40 udhëheqës evropianë dhe kjo është hera e parë që një takim i tillë organizohet në Shqipëri.
Agjenda zyrtare e samitit parashikon nisjen e ceremonisë hapëse në orën 11:00, e ndjekur pas 45 minutash nga seanca plenare e parë, ku liderët do të diskutojnë mbi sigurinë dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Evropës.
Komuniteti Politik Evropian u krijua si platformë e përbashkët politike për të forcuar bashkëpunimin dhe stabilitetin në Evropë./KSP