Arbëri

Rama kërkon takim urgjent me Qeverinë për krizën e transportit urban: Zgjidhja është e thjeshtë

Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur gatishmërinë e tij të martën që të gjendet çfarëdo alternative për ta zgjidhur problemin e pagesës së punëtorëve të transportit urban në kryeqytet.

Ai sërish ka fajësuar qeverinë në detyrë për mbajtje peng të mjeteve që duhet të ndahen për komunën. 

“Ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokadat që po i bëhen kryeqytetit prej ministrisë së Financave në mënyrë të jashtëligjshme. Dje ishim edhe me protestuesit përpara Ministrisë së Financave, përpara Qeverisë ku unë kërkova takim urgjent me ministrin e kryeministrin, por ata refuzuan të takohen. Jam edhe sot i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë dhe ta zhbllokojmë këtë proces. T’i lëmë prapa politikat bllokuese të mbrapshta, fondet që na takojnë me ligj të transferohen menjëherë e të dalin pagat. Jam i gatshëm për çfarëdo mënyre alternative që ta zgjidhim këtë problem e të zhbllokohet procesi. Zgjidhja është shumë e thjeshtë, menjëherë mund të bëhet nga ministri. Fondet janë tonat, nuk ka asnjë bazë ligjore që t’i mbajë peng”, ka thënë ai në konferencën për media.

Rama ka shtuar se janë marrë edhe masa tjera, si thirrja e seancës së jashtëzakonshme për të enjten, ku asamblistët, sipas tij, do të votojnë edhe për bartjen që ka qenë e bllokuar. 

Ai ka shtuar se pasi të zgjidhet çështja me transportuesit urban do të shqyrtohet edhe thirrja për betimin e asamblistëve të rinj.

“Nuk kemi pasur kohë dje e sot të merremi me këtë çështje për shkak të situatës së krijuar”, ka thënë ai.


Rama i bashkohet protestuesve: Qiti paret ministër menjëherë, lëri inatet

Pas një konference për media, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i është bashkuar punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë nga ku theksoi se zgjidhja ekziston por që Ministria e Financave, sipas tij ,po i mbanë jashtëligjshëm 35 milionë eurot e kryeqytetit, raportoi Ekonomia Online.

Rama i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati që të reflektojnë e të lënë inatet politike dhe të bëhen bashkë për popullin, në këtë mënyrë që bëhet edhe zgjidhja për punëtorët.

“35 milionë euro që mbahen jashtëligjshëm në Ministrinë e Financave, mund të paguhen sot, tash në këtë moment. Nuk ka asgjë që e ndalë pagesën e 35 milionëve tash, menjëherë e që të paguhet operatori publik dhe privat dhe mos të lihen këta njerëz në rrugë. Paguaji paratë e kryeqytetit dhe paguhen të gjithë operatorët dhe të gjitha rrogat, këtë mundësi e ka tash, dje dhe me muaj të tërë. I mban paratë jashtëligjshëm. Për këtë arsye kemi bërë edhe kallëzim penal ndaj tij dhe tre zyrtarëve. Çdo temë tjetër është t’i vihet hi syve qytetarëve, juve, popullit. Qiti parët ministër, menjëherë. Ne kemi marrë dhe masa tjera, kemi thirrur dhe seancë të jashtëzakonshme për të enjten por edhe fondet prej 28 milionë tjera përveç 35 milionëve që janë bartje prej viteve të kaluar asamblistët që e bllokuan herën e kaluar kanë tregu që janë për të votuar dhe fondet të merren. Fakti është se 35 milionë euro vetjake mbahen në mënyrë joligjore nga ministri”, ka thënë Rama.