Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk e ka prezantuar ende kabinetin e tij qeverisës për mandatin e dytë, megjithëse kanë kaluar dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve lokale. Megjithatë, siç mëson KOHA, ai veçse ka filluar me emërimin e disa drejtorëve, por pjesë përbërëse e menaxhmentit nuk dihet nëse do të jenë edhe PDK-ja, zyrtarët e së cilës kanë deklaruar se nuk kanë pasur ende asnjë diskutim mbi këtë çështje.
Kanë kaluar dy muaj nga 9 nëntori, kur kryetar i Prishtinës edhe për një mandat u rizgjodh Përparim Rama.
Por që atëherë Prishtina është në pritje të prezantimit të qeverisjes Rama 2.
Pavarësisht se kryeqyteti nuk e ka buxhetin as të vitit 2025 e as të vitit 2026 të miratuar, Kuvendi i ri Komunal nuk është mbledhur për të diskutuar pika të tilla.
Madje pas festave, kryetari Rama ka kaluar një javë për pushime në Austri duke skijuar.
Derisa ende s’e ka prezantuar kabinetin e tij, ai ka bërë emërime e shkarkime në disa drejtori.
Se fundmi ka emëruar Arbër Sadikin si drejtor të Planifikimit.
Edhe pse Bekim Gashi është ndër më të votuarit në Prishtinë nga LDK-ja, Rama e ka liruar atë nga pozita e drejtorit të Shërbimeve Publike.
Në vend të tij, Rama ka caktuar familjarin e tij, Luftar Braha.
“Nuk e kam djalë të tezes. Familjar mund ta kem diçka, por çka ka rëndësi? Ky është një lajm i moçëm, ju jeni me vonesë”, ka deklaruar Luftar Braha, drejtor i Shërbimeve Publike.
Derisa Sokol Havolli hyri në garë për deputet, Rama emëroi u.d. të Drejtorisë së Investimeve, Liridon Shahinin.
Vendim të publikuar për të nuk ka ende, por Brahim Mehmetaj i AAK-së i cili udhëhoqi me drejtorinë e pronës në fund të mandatit të kaluar, ka publikuar fotografi për një marrëveshje prone, duke lënë të nënkuptohet se do të udhëheqë Drejtorinë e pronave edhe në 4 vjetët e ardhshëm.
Vonesat në prezantimin e qeverive lokale sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës po ndodhin për shkak të pjesëmarrjes në zgjedhje të asamblistëve e drejtorëve.
“Kryetarët nuk kanë kandiduar, por ka pasur drejtorë dhe asamblistë që kanë qenë pjesë e garës qendrore dhe kjo me gjasë ka ndikuar në finalizim të emërimit të qeverive lokale në Kosovë. Komunat i presin punë, sidomos sa u përket vendimeve, në veçanti komunat që nuk e kanë miratuar buxhetin”, ka thënë Sazan Ibrahimi, drejtor i AKS-së.
Asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka thënë për KOHËN se ende nuk është zhvilluar asnjë diskutim për vazhdimin e bashkëpunimit me LDK-në.
“Nuk kemi pasur asnjë takim, pra nuk është bërë ende asnjë diskutim. Kemi bërë pak pushim në këtë fillimvit e nuk e di se çfarë pritet të bëhet më vonë”, është shprehur Retkoceri.
Edhe në mandatin e parë, Rama ishte vonuar të bënte qeverinë për shkak të koalicionit me PDK-në.
KOHA ka tentuar të marrë edhe një përgjigje prej Komunës së Prishtinës, se kur pritet të bëhet prezantimi i qeverisjes Rama 2, mirëpo deri tash nuk ka pranuar asnjë përgjigje.