Arbëri

Rafuna kërkon pezullimin e vendimit të ZRRE-së: Është rritur importi dhe ka rënë eksporti

Lulzim Rafuna

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se si pasojë e daljes së bizneseve në treg të hapur është rritur importi, ndërkaq, eksportet kanë rënë për 1.5 për qind, raporton "KosovaPress". 

Ai në konferencë për media të hënën, i bëri thirrje ZRRE-së që ta pezullojë vendimin deri në shkurt të vitit 2026.

Pak ditë para skadimit të kontratave të bizneseve me KEK-un, ai tha se të njëjtët nuk kanë shumë opsione për furnizim me energji elektrike.

Të premten Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë e ka dorëzuar në Qeveri kërkesën për shtyrjen e procesit të liberalizimit të tregut energjetik.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, para objektit të qeverisë, drejtues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kanë thënë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji do t’i prekë qytetarët me rritje të çmimeve, largim të punëtorëve nga puna edhe rënie të hyrave buxhetore për shtetin e Kosovës.

ZRRE-ja ka njoftuar javën e kaluar bizneset lidhur me përfundimin e periudhës së furnizimit të garantuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Po ashtu edhe KEK ditë më parë ka njoftuar se 30 korriku është data e fundit që do t’i furnizojë me energji elektrike të gjithë konsumatorët që nuk kanë gjetur furnizues në treg të hapur.

Më 12 qershor të këtij viti, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në mbledhjen e tij e ka caktuar subjektin juridik KEK - si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhë gjashtë (6) mujore, nga 31.07.2025 deri më 30.01.2026.