Arbëri

Rafuna: 63 mijë vende të punës mund të mbyllen nëse bizneset dalin në treg të hapur më 1 qershor

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka thënë se 63 mijë vende të punës mund të mbyllen nëse bizneset dalin në treg të hapur të energjisë më 1 qershor. 

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Rafuna ka thënë se bizneset nuk janë kundër daljes së tregun e lirë, por kërkojnë kohë për përgatitje. 

“Sipas një analize që e kemi bërë këto 10 ditët e fundit, të cilën ia kemi dërguar edhe qeverisë dhe e kemi prezantuar para kryeministrit, këto 1300 biznese i kanë të punësuar mbi 143 mijë punëtorë. Në total, sektori privat i ka të punësuar rreth 330 mijë, që i bie përafërsisht 50 përqindëshi. 46.8 për qind kanë deklaruar se do të ndikojë në tkurrje të prodhimit dhe potencialisht në reduktim të vendeve të punës. Kjo përqindje i ka të punësuar rreth 63 mijë punëtorë, që i bie se 63 mijë vende pune janë potenciale për t’u atakuar apo për t’u mbyllur për shkak të rritjes së energjisë elektrike”, është shprehur ai.

Rafuna tutje ka thënë ka thënë se në takimin e së mërkurës me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, është kërkuar të ketë tranzicion për të kaluar bizneset në tregun e lirë, por nuk ka dhënë shpresë. 

“Ne edhe sot i kemi kërkuar kryeministrit që të kemi një tranzicion, por nuk na dha shpresë që do ta kemi, duhet ta potencoj që biznesi nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por kërkon që të përgatitet tregu dhe t’iu jepet mundësi dhe kohë e arsyeshme që të kalojnë në tregun e lirë. Kryeministri çdo të dytën fjalë thoshte ‘unë jam me ju, iu qëndroj pranë’, por nuk e kishim të qartë se si na qëndron pranë”, ka shtuar ai.