Agim Plashniku, qytetari që ditë më parë në një lokal në Prishtinë u konfrontua me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë kallëzim penal kundër saj, me dyshimin se i ka kryer veprat penale “Deklarim i rremë” dhe “Sulm”. E avokati Gent Gjini ka thënë se ka prova se është sulmuar klienti i tij, Plashniku
Veprat “Deklarim i rremë” dhe “Sulm” janë dyshimet që e kanë shtyrë qytetarin Agim Plashniku të bëjë kallëzim penal ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Plashniku pretendon se gjatë incidentit të ditëve më parë në një lokal në Prishtinë, Pacolli dhe asistenti i saj kanë ushtruar dhunë ndaj tij.
"Unë dhunë s'kam përdorur ndaj Fitore Pacollit, i kam dokumentet. Por Fitore Pacolli ka përdorur dhunë ndaj meje dhe asistenti i Fitore Pacollit. Fitore Pacolli po merret me familjen time. Me gruan time dhe me vajzën. Po bën apel që ta largojnë gruan time nga puna dhe po ka presion. Edhe unë po kam presion në punë. E ka kot. Mos vepro kështu, Fitore Pacolli, se unë nuk po merrem me familjen e Fitore Pacollit. Po të merresha unë me familjen e Fitore Pacollit, ajo e di ku i punon motra dhe e kanë kapur shtetin”, ka thënë Plashniku.
E Gent Gjini, avokat i Plashnikut, ka thënë se ka prova se klienti i tij është sulmuar nga Pacolli.
“Këtë kallëzim penal e kemi të mbuluar me fakte dhe prova, sepse është këtu pala e dëmtuar ku qytetari është parë në video se si është sulmuar nga zonja fitore Pacolli dhe asistenti i tij ka aluduar dhe ka mbështetur se i njëjti mban në çantën e tij revole. Kur zonja Fitore është intervistuar në polici, ajo aty është dashur të ndalohet, sepse ka bërë deklarim të rrejshëm, sepse është kontrolluar zotëri Agim Pllashniku dhe nuk ka pasur armë. Ajo e ka njollosur familjen e tij dhe familja ka marrë kërcënime në orët e vona", ka thënë Gjini.
Deputetja Pacolli nuk është përgjigjur në thirrjet e KOHË-s e as nuk ka kthyer mesazh për këtë kallëzim penal. Po ashtu nuk e ka komentuar në rrjete sociale.
Në disa video që kanë qarkulluar ditë më parë në rrjete sociale shihet qytetari Agim Plashniku, duke iu drejtuar deputetes Fitore Pacolli me fjalët “hajneshë”, teksa ajo ishte ulur në një lokal.
Për këtë, Policia në raportin 24-orësh ka njoftuar se qytetari është intervistuar dhe është hapur rast për veprën penale “Kanosje”.
Ka qarkulluar edhe një video tjetër me një qytetar tjetër pranë Kuvendit. Për të dyja rastet, deputetja Pacolli në rrjetet e saj sociale ka komentuar, duke thënë se “dhunuesit po marrin zemër nga dhunuesit”.