Arbëri

Qytetarëve në karrocë nuk u merren në konsideratë raportet e Neurologjisë

Persona në karrocë

Personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë vazhdojnë të ankohen për, siç thonë, diskriminimi që po u bëhet nga shteti. Këtë vit ka pasur më pak përfitues të Ligjit që njeh statusin dhe të drejtat e tyre. Ka ndodhur kjo, pavarësisht përcaktimit që bën komisioni brenda QKUK-së. Raportet e këtyre komisioneve shpesh hidhen poshtë nga komisioni në Departamentin e pensioneve në Ministrinë e Financave

Një raport konsuliar pas kontrollimit nga katër mjekë profesionistë të Klinikës se Neurologjisë në QKUK e ka vendosur Naim Hajdarin në kategorinë e parë për persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Megjithatë, kjo nuk i ka mjaftuar atij që ta fitojë këtë status.

Kjo, pasi në komisionin e dytë brenda Departamentit për pensione në Ministrinë e Financave, ky konstatim i është hedhur poshtë, duke i mohuar të drejtën për 375 euro në muaj, si dhe të drejtën për kujdestar personal.

“Qeveria në fushatën zgjedhore ka premtuar çka të duam për ne... Me 150 euro duhet të paguajmë ujë, bërllok, tatime. Gjithçka duhet të paguajmë”, thotë Naim Hajdari, qytetar nga Prishtina. “Dy me aftësi të kufizuar. Djalin në shkollë. S’po mund të ia dalim. Kam edhe me 6 anëtarë në familje. Ku të jetojmë me 150 euro. Shoqes nuk ia pranojnë as komisioni, as sociali, nuk ia pranon se Naim Hajdari i merr 150 euro”.

E në situatën e Naimit janë edhe shumë të tjerë që të drejtën për kujdestar personal e kanë fituar pas dërgimit të rastit në Gjykatë.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi për raste të veçanta se si pas ankesës në Gjykatën Themelore atyre u është njohur e drejta qe ia parasheh ligji i vitit 2017. E po ashtu se si sërish kur u ka ardhur koha për rivlerësim, komisioni i pensioneve ua ka refuzuar atë.

Për ndryshim të kategorisë, të mërkurën para Qeverisë kanë protestuar disa nga personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Në Klinikën e Neurologjisë, që është shkalla e parë e vlerësimit profesional për njohjen e statusit, thonë të mos jenë në dijeni se si veprojnë komisionet e tjera derisa t’iu kthen rastet përmes Gjykatës.

“Pastaj ne nuk mund të kemi ndonjë të dhënë tjetër se çka ndodh me pacientin, përveçse nëse ai nuk kthehet edhe njëherë në komision, ose nëse nuk ka kaluar në procedura të tjera të gjykatave, e pastaj Gjykata neve na kërkon edhe një vlerësim tjetër, tash në cilësinë e ekspertit mjekësor, këtu domethënë që e thërret Gjykata. Kështu që ne nuk kemi ndonjë informatë kthyese çfarë ka ndodhur më tutje”, ka thënë Edmond Komoni, drejtor i Klinikës së Neurologjisë. “E jona është që të vendosim në bazë të kritereve profesionale, me ekzaminim të pacientit të japim vlerësimin me diagnozat ekzistuese që i ka pacienti”.

Ai thotë se brenda muajit iu kthehen mesatarisht deri në 15 lëndë nga Gjykata për rivlerësim.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2021, në grupin e parë me shoqërues kanë qenë 2084 përfitues, e në grupin e dytë pa shoqërues, 578 përfitues.

Ndërsa vetëm deri në korrik të vitit 2022 kanë qenë 547 përfitues më pak në grupin e parë dhe 134 më shumë në të dytin.

Në këtë ministri, vitin e kaluar e kanë vlerësuar raportin konsuliar vetëm si hap procedural, ndërkaq kanë thënë se mandatin për njohjen e së drejtës e ka vetëm komisioni mjekësor i mandatuar nga Ministria.

Por nuk kanë treguar dallimin në grupe prej vitit në vit.

“Totali i ankesave për vitin 2022 ka qenë 380 nga të cilat janë refuzuar 173, kanë mbetur në fuqi 127 dhe 3 ankesa janë aprovuar. Në procedurë të shqyrtimit të ankesave janë 80 lënde. Numri i përfituesve që do të dalin në rivlerësim deri në fund të vitit 2023 është 526 përfitues”, thuhet në një përgjigje të Departamentit të pensioneve në Ministrinë e Financave.

Në këtë institucion nuk kanë treguar se sa buxhet kursen shteti duke i mohuar pensionet që derivojnë nga grupi i parë për këto kategori.

Sipas ligjit aktual, përveç 150 eurove, personave që i takojnë grupit të parë u takojnë edhe 225 euro shtesë për shpenzimet që përfshijnë kujdestarin personal dhe materialin për parandalimin e plagëve.