Uji i Liqenit të Badovcit është shpallur sërish i papijshëm, për shkak të vlerave të larta të manganit. Qytetarët janë detyruar të blejnë ujë, ndërsa institucionet ende nuk japin përgjigje se pse ky problem po përsëritet çdo vit që nga 2023-ta.
Jakup Morina u detyrua të blinte ujë të ambalazhuar për pije të martën, pasi uji i Liqenit të Badovcit rezultoi i papijshëm, për shkak të niveleve të larta të manganit.
Ai shprehet i shqetësuar me këtë fenomen i cili po shfaqet për çdo vit.
“Uji i Badovcit nuk përdoret, ne po duhet me e ble me pi se nuk po guxojmë. Shumë valla shkojnë, dy gajbe i marr, dalin një ditë e gjysmë qashtu. Nuk ka ardhur një herë. Nuk e di a vjen a jo, ne jemi qashtu duke ble goxha shumë, po na shqetëson se pa ujë nuk ka jetë”, ka thënë Morina.
Shumë qytetarë në lagjet të cilat furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit u panë duke blerë ujë të ambalazhuar, të martën, një ditë pasi u dha njoftimi nga IKSHPK-ja se uji nga Badoci nuk bën të pihet.
“Sot kemi dëgjuar. Nuk e kemi ditë. Tash po blejmë. Prej sotit duhet me e ble”, ka thënë qytetari Ejup Hertica.
Gjatë ditës, një autobot është vendosur në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, por qytetarët nuk e shfrytëzuan ujin prej tij, duke vazhduar të blinin ujë në markete.
E një qytetar, tha se ujin e blen gjithnjë, pavarësisht nëse uji nga liqeni i Badocit është i pijshëm apo jo.
“Unë gjithë e blej.... se di më doket më i sigurt”, ka thënë Sali Selemi.
Në KRU “Prishtina”, kanë konfirmuar se uji aktualisht nuk është i sigurt për pije.
Për shfaqjen e shpeshtë të manganit në ujin e liqenit të Badocit, në KRU Prishtina janë duke pritur një shpjegim zyrtar.
“Nuk duhet të përdoret as për përgatitje të ushqimit, pra duhet të përdoret vetëm për higjienë personale apo ambientale por jo për pije dhe përgatitje të ushqimit. Sa do të zgjasë kjo ne nuk e dimë, sepse fillimisht as nuk e kemi parapara që kaq herët do të ndodhë, por po shpresojmë që të zgjas sa më pak. Ne në fillim të qershorit 2024 kemi mbajt një takim me Institutin e Kimisë, kemi bërë kërkesë që të ndihmojnë në hulumtimin e gjetjeve se çfarë saktësisht po e shkakton këtë përqendrim të lartë në liqenin e Badovcit mirëpo nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje”, ka thënëzëdhënësja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku.
Nga Instituti i Kimisë kanë thënë se një përgjigje zyrtare lidhur me kërkesën e KRU-së do të jepet të mërkurën.
E profesor Ilir Shehu, nga Departamenti i Kimisë ka shpjeguar rreziqet që vijnë nga konsumimi i ujit me përqendrim të lartë të manganit.
“Mangani pastaj mund të ketë efekte toksike në organizmat e gjallë kryesisht edhe te organizmi i njeriut. Dhe mosha të cilat janë më të predispozuara sa i përket përqendrimit të manganit kryesisht fëmijët, sepse sipas literaturës, konsiderohet që vlerat e larta të përqendrimit të manganit mund të ndikojnë në sistemin nervor qendror, pra te fëmijët kryesisht, ata janë më të rrezikuar krahasuar me moshat e tjera të njerëzve”, ka thënë Shehu.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, që të hënën ka publikuar një komunikatë për ndalimin e përdorimit të ujit, nuk ka ofruar asnjë informacion të ri gjatë së martës.
Nuk është përgjigjur as në pyetjet mbi vlerat aktuale të manganit dhe veprimet e ndërmarra gjatë dy vjetëve të fundit për të parandaluar këtë situatë.
Kjo është hera e tretë në dy vitet e fundit, që uji nga liqeni i Badocit bëhet i papijshëm. Edhe në dy rastet e para shkak ishte vlera e lartë e manganit.