Arbëri

Qytetarët të lodhur me gropat në rrugën “Holgen Petersen” në Prishtinë, Komuna thotë se ajo rregullohet shpejt

Ka më shumë se dy javë që Komuna e Prishtinës ka nisur rregullimin e rrugës “Holgen Petersen”.

Rindërtimi i saj ka qenë kërkesë e vazhdueshme e qytetarëve, për shkak të gropave të shumta.

Mirëpo, ata tani po kërkojnë shpejtimin e punimeve. Qytetarët ankohen se nga gjendja e rrugës po u dëmtohen veturat dhe po përballen me shumës pluhur, raporton “038” i KTV-së.

Kjo rrugë goxha e frekuentuar, të dërgon në “Pallatin e Drejtësisë” në Hajvali dhe mbyllja e herëpashershme e saj po i nervozon ngasësit e automjeteve.

Komuna thotë se punimet janë duke u zhvilluar me intensitet të shtuar, derisa zotohet se ato do të përfundojnë para afatit prej 90 ditësh.

Rruga që po rindërtohet është e gjatë rreth 1 kilometër, derisa Gëzim Mehmeti, Drejtor për investime kapitale në Prishtinë, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për pengesat në komunikacion.