Arbëri

Qytetarët shprehen të dëshpëruar me dështimet për ta konstituuar Kuvendin

Pakënaqësi për bllokadën e krijuar në procesin e konstituimit të Kuvendit kanë shprehur qytetarë të shumtë në Prishtinë. Disa prej tyre kanë thënë se janë aq të dëshpëruar në politikanët, saqë më nuk po i përcjellin as zhvillimet politike

Gjatë kohës sa po mbahej seanca për konstituimin e Kuvendit, qytetari Shefki Zhitija ka vizituar të enjten Parkun e Gërmisë, adresë kjo kryesore në Prishtinë për 1 Maj.

Ai ka thënë se bllokada e krijuar në procesin e zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe konstituimit të legjislaturës së re i ka lodhur qytetarët dhe ka theksuar se për këtë shkak më nuk i përcjell ngjarjet politike.

“Janë lodhur më me këtë punë. Për konstituimin e Kuvendit kjo është shumë keq, e për neve keq se nuk po munden ta bëjnë... Kështu nuk shkon kjo punë, nuk shkon e nuk di deri kur kështu, por është keq për neve”, ka theksuar ai.

Zymer Maxharri, një qytetar tjetër, ka ironizuar me situatën e krijuar. Ai ka thënë se udhëheqësit partiakë dhe deputetët e zgjedhur kanë punë më të rëndësishme sesa zgjidhja e ngërçit në Kuvend.

“Nuk bien kaq poshtë, sepse ata tash janë duke u marrë me gjëra më të mëdha e që nuk mund ta bëjnë Kuvendin. Janë të zënë aq shumë sa nuk po u bie ndërmend për popullatë”, është shprehur ai.

Dalja nga bllokada e krijuar në Kuvend dhe krijimi i qeverisë ndikon edhe në jetën e mërgimtarëve, ka vlerësuar Afrim Fazliu, i cili jeton jashtë shtetit.

Dita ndërkombëtare e Punëtorëve e ka gjetur atë në Kosovë. Ai ka thënë se qytetarët janë duke u marrë seriozisht prej atyre që vetë i kanë votuar më 9 shkurt.

“Nuk janë fort duke ia vendosur veshin, që thotë një fjalë e vjetër popullore. E tepër janë lodhur, kështu që nuk janë më edhe aq të lidhur me politikë”, është shprehur Fazliu.

Edhe në një pyetje të hapur në KOHA.NET, qytetarët kanë bërë thirrje për veprime që e zhbllokojnë ngërçin.

Disa prej qytetarëve kanë thënë se votimi i Albulena Haxhiut si kryeparlamentare do të ishte opsioni më i mirë e të tjerët kanë vlerësuar se si opsione duhet konsideruar propozimi i një kandidati tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe marrëveshja mes subjekteve politike për zgjedhje të reja.