Arbëri

Qytetarët në veri ende s’kanë pranuar fatura të rrymës

Fatura

Ende nuk janë shpërndarë faturat për energjinë elektrike që qytetarët e veriut e kanë shpenzuar brenda një muaji. Ndonëse faturimi ka nisur nga 2024-a, shumë nga konsumatorët nuk posedojnë orëmatës. Autoritetet lokale dhe përfaqësues të Elektroseverit kanë shqyrtuar propozimet për vlerën e paushallit që do t’u faturohet konsumatorëve të tillë

Një muaj pasi filloi regjistrimi i energjisë elektrike që qytetarët e shpenzojnë në veri, faturat nuk janë shpërndarë. Banorët që jetojnë në katër komunat me shumicë serbe, e që nuk kanë dashur të identifikohen, kanë thënë të shtunën se edhe pse janë furnizuar me rrymë gjatë janarit, nuk kanë marrë faturë për shpenzimet e bëra.

“Ende nuk e kam marrë faturën. Unë jam gjithmonë që të paguhet. Jam mitrovicas i kahershëm. Edhe përpara gjithnjë kam paguar”, thotë një i moshuar serb.

E një banore serbe thotë se deri tash nuk ka marrë faturë as nuk di ndonjë rast që dikush të ketë marrë një të tillë.

“Jo, jo! Nuk kam pranuar faturë, askush nuk ka pranuar faturë”, ka thënë ajo.

Në pjesën e veriut ka banorë edhe shqiptarë. Një prej tyre shprehet se faturë s’ka marrë e as që pret të ketë matje reale të shpenzimeve, meqë thotë se është përmendur që borxhet të faturohen me një tarifë fikse për të gjithë.

“Po thonë disa paushall, por nuk e di. Kanë thënë prej janarit, por qe u bë fundi i janarit dhe kurrkund nuk kanë ardhur”, ka thënë ai.

Kompania Elektrosever e cila është licencuar për furnizimin dhe faturimin me energji elektrike të Komunave me shumicë serbe, nuk i ka kthyer përgjigje KOHËS nëse kanë nisur t’i shpërndajnë faturat apo ta mbledhin borxhin.

Por, disa nga qytetarët i thanë KOHËS së nuk kanë se si të pranojnë fatura, për shkak se nuk posedojnë orëmatës.

“Ne nuk kemi marrë faturë sepse ne nuk kemi orë të rrymës”, thotë njëri nga ta.

Nexhat Ugljanin, kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, thotë se një ditë më parë është mbajtur një mbledhje me përfaqësues të Elektroseverit, ku është diskutuar lidhur me problemin e faturimit për shkak të mungesës së orëmatësve.

Ai tregoi se është propozuar që deri në faturim, borxhi të vendoset paushall.

“Është folur për çmim paushall ku është folur se për familje për një shtëpi do të jetë 20 euro, për bizneset e dyqanet 25. Por ende s’i kemi parë këto, por jemi të pajtimit edhe me ato derisa të rregullohet çështja e ngjitjes së orëve nëpër lagje”, ka thënë Ugljanin.

E vendosja e këtyre orëve pritet të nisë tek në fillim të muajit mars.

“Ne jemi për ta paguar rrymën. Ka ardhur koha për ta paguar rrymën. Por edhe ata kanë treguar gatishmërinë për kryerjen e punës për ngjitjen e orëve që do të nisë sigurisht në fillim të marsit dhe do të fuqizohet me punonjës nga të tjera komuna për t’i kryer punët në terren”, ka theksuar ai.

Elektroseverit i është kërkuar edhe hapja e qendrave për pagesë të rrymës në lagjet multietnike.

Që nga paslufta, banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk kanë paguar për energjinë elektrike të cilën e kanë shpenzuar.