Thasët e vendosur para derës nuk mjaftuan për ta ndalur ujin që të futet në lokal.
Rrebeshi i shiut që ra pasditen e së shtunës në Gjilan vërshoi lokalin e Valon Zairit duke i shkaktuar dëme të shumta në produkte e tekstilit dhe gjësendet e tjera që ai tregton.
“Dje pasdite pas reshjeve të shiut ka pasur vërshime të mëdha në lokalin tim, ka shkaktuar dëme të mëdha të invertarit brenda shumë, por edhe malli që ka qenë jashtë. Vlera e mallit që është dëmtuar është diku 15 mijë euro”, ka thënë Valon Zairi, pronar i një lokali në Gjilan.
Shiun e rrëmbyeshëm nuk e kapërdin dot pusetet e kanalizimit. Nga kjo pësuan edhe biznese të tjera në Gjilan.
“Po kur ja nisi me ra shi për 15 minuta krejt ka hy brenda aty. Si ja nis shi këtu nuk mbetet as me punu as sen. Do drrasa që kam pas këtu i ka kalbë uji. Pajisje jo, vec drrasa”, ka theksuar Donis Vitija, pronar i një lokali.
Uji ka hyrë edhe nëpër bodrume e oborre të disa shtëpive.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri në një konferencë për media tha se gjendja është menaxhuar mirë dhe nuk ka rrezik për jetën.
Të shtunën sipas tij, ka pasur 25 ndërhyrje me institucione të emergjencës nga 52 kërkesa të qytetarëve për ndihmë.
“Natyrisht Gjilani i ka kapacitetet e limituar, por janë detyrat e ndara mes nesh dhe Qeverisë dhe shpresoj që festivali i Kanës të përfundojë sa më shpejtë dhe kryeministri të kthehet në detyrë zyrtare sepse në këto situata të vërshimeve dhe zjarrjeve lidhen me rolin e Qeverisë, jo të sanimit të dëmeve, por mënyra e menaxhimit të tyre", ka thënë Haziri.
Përveç Gjilanit edhe komuna të tjera janë përballur me reshje të shiut dhe me breshër gjatë fundjavës, duke shkaktuar dëme në të kultura bujqësore.
Nga vërshimet janë prekur edhe Vitia, Rahoveci, Kllokoti, Vushtrria dhe disa zona të Dukagjinit.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se edhe gjatë së dielës do të ketë reshje të shiut. Nuk përjashton mundësinë që shiu të shoqërohet edhe me breshër.
Ndryshimet klimatike kanë shkaktuar vërshime në Evropën Perëndimore, ku si pasojë, kanë humbur jetën mbi 180 persona.