Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorolli ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se është hera e parë që Kushtetuesja ka marrë vendim të madh pa iu referuar asnjë kushtetute evropiane ose botërore
Sipas tij, ky fakt është pazakontë.
“Për herë të parë në historikun e saj, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të ashtq., të madh (KO, kërkesa të institucioneve) pa iu referuar asnjë kushtetute evropiane ose botërore dhe as një aktgjykimi tjetër model të gjykatave të saj simotra dhe as Forumit Kushtetues Evropian - ku ajo bën pjesë. Ky është një fakt i pazakontë, por edhe domethënës: asnjë precedent, asnjë rast krahasues, asnjë përvojë e ngjashme nga bota demokratike”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se deri më tani, Gjykata gjithmonë ka përdorur krahasime ndërkombëtare për ta ndërtuar legjitimitetin e vendimeve të saj. Sipas tij, këto referenca nuk kanë qenë mbase zbukurim, por mburojë kundër arbitraritetit, duke treguar se Kosova ecën në hap me traditën evropiane të konstitucionalizmit.
Ka shtuar se mungesa e krahasueshmërisë në këtë rast tregon se zgjidhja e dhënë nuk ka përkrahje në botën demokratike. Sipas Qorollit, “vendimi duket i izoluar, tejet i brishtë dhe i hapur ndaj dyshimeve se është ndërtuar mbi logjikë të brendshme të dobët, jo mbi standarde universale”.
“Ky precedent e vendos Gjykatën në një pozitë të rrezikshme: në vend që ta forcojë besimin te Kushtetuta, e cenon atë duke krijuar idenë se normat kushtetuese mund të shpiken pa mbështetje në tekst, e as në traditën krahasuese. E drejta e tri herave për një kandidat për Kryetar Kuvendi nuk ekziston në tekstin e Kushtetutës. Ky kufizim është krijuar nga Gjykata Kushtetuese pa bazë shprehimisht kushtetuese dhe pa precedent ndërkombëtar. Kur gjykata shpik një rregull numerik të tillë - nuk e ka kryer detyrën e saj primare: e që është interpretimi i Kushtetutës dhe kjo gjë qartësisht përbën tejkalim të mandatit të saj kushtetues”, ka thënë ai.
E njëjta sipas tij, vlen edhe për kufizimin 30-ditor.
Ai ka thënë se Kushtetuta flet për afatin 30 ditë për thirrjen e seancës konstituive, jo për përfundimin e saj ose për anulimin e seancave të mbajtura.
“Duke e shndërruar këtë afat në kufi absolut dhe duke shpallur të pavlefshme periudha të tëra parlamentare, Gjykata ka hyrë në territorin e Kuvendit si organ sovran. Ky është precedent i rrezikshëm, sepse e bën Gjykatën ligjbërëse në vend të interpretueses së Kushtetutës”, ka shtuar ai.