Arbëri

QKUK-ja do ta funksionalizojë shërbimin për IVF, në kohën e ballafaqimit me mungesë barnash

Qendra Klinike Universitare pritet që gjatë këtij viti ta funksionalizojë repartin për aplikimin e fertilizimit të asistuar mjekësor, të njohur si IVF. Këtë repart të mërkurën e vizituan presidentja Vjosa Osmani dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Prej aty bënë zotimin edhe për zgjidhjen e problemit të barnave, me mungesën e të cilave po përballet QKUK-ja

Në Klinikën e Gjinekologjisë gjatë vitit do të fillojë ofrimi i shërbimit të fertilizimit të asistuar mjekësor, ka thënë presidentja Vjosa Osmani, gjatë vizitës në këtë klinikë, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ky shërbim deri më tani ka munguar në sistemin publik shëndetësor. E mungesa e tij ka krijuar vakum, të cilin e kanë shfrytëzuar spitalet private për dy dekada, duke e ofruar këtë shërbim, përcjellë me parregullsi dhe keqpërdorime të shumta.

“Një shërbim që çifteve në Republikën tonë u ka kushtuar rreth 5 milionë euro dhe që tani e tutje, pas procedimit edhe me blerjen e aparaturës, e cila, siç diskutuam me ministrin, pritet të përfundojë gjatë këtij viti, do të jenë, pra, shërbime që do të ofrohen edhe në institucione publike shëndetësore, në një repart i cili ishte rinovuar dhe është tërësisht i ri”, ka thënë Osmani.

“Nga Ministria e Shëndetësisë tashmë janë ndarë 1 milion e gjysmë euro për kompletimin e aparaturave që gjatë këtij viti qiftet e Kosovës të kenë mundësi që këtë shërbim kaq të domosdoshëm për të cilën, siç tha presidentja, janë harxhuar me miliona euro, pesë milionë euro vetëm në Kosovë e miliona të tjera jashtë Kosovës, të kenë mundësinë ta marrin pa pare edhe në klinikën e Gjinekologjisë”, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Hapja e këtij reparti planifikohet në kohën kur QKUK-ja përballet me mungesë të alkoolit, fashave e materialeve dhe barnave të tjera nga lista esenciale.

Presidentja Osmani kërkoi që të trajtohet me seriozitet të lartë çështja e ndryshimit të ligjit për prokurimin publik, në mënyrë që të evitohen mungesat dhe keqpërdorimet e patolerueshme.

E ministri Vitia theksoi se aktualisht nuk ka mungesë të barnave esenciale dhe shtoi se janë hapur tenderët për shmangien e mungesave.

“Nuk ka mungesa në listën esenciale, siç thoni, tani dhe natyrisht, ne jemi çdo ditë duke i prioritizuar projektet e tenderët, tamam nga ato lista e barnave esenciale, që këto barna esenciale të mos të mungojnë…”, ka thënë Vitia.

KOHA raportoi në vazhdimësi për rastet e pacientëve që detyrohen t’i blejnë vetë barnat, si dhe materiale esenciale, si penjtë, fashat dhe alkoolin.