Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, javë më parë deklaroi se e ka pranuar raportin për mosfunksionalizimin e pishinave për hidroterapi. Por atë e ka demantuar Qendra Klinike Universitare, sipas së cilës dokumenti ende nuk i është dorëzuar ministrit
Qendra Klinike Universitare (QKUK) ka përgënjeshtruar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili gati dy javë më parë u shpreh se e ka pranuar raportin e kërkuar nga ky institucion për arsyet e mosfunksionalizimit të dy pishinave për hidroterapi.
Për këtë problem, për të cilin Vitia tha se ishte njoftuar tek pas raportimit të KOHËS, në konferencën e 3 prillit deklaroi se e posedon raportin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po, raporti më është dorëzuar, janë të gjetura arsyet pse ka ndodhur. Janë masat e rekomanduara dhe natyrisht ashtu siç thashë edhe më herët për kolegun e juaj, përmes një emaili në kërkesën e juaj në këtë raport, besoj që shumë shpejt do ta merrni... Sigurisht e keni bërë para se të vijë raporti. Raporti ka ardhur nga mesi i kësaj jave”, pati thënë Vitia.
Po atë ditë, KOHA e ka përsëritur kërkesën me email për qasje në këtë raport. Por, deri të mërkurën, Ministria nuk e ka vënë atë në dispozicion, pavarësisht disa kërkesave që janë bërë.
E dymbëdhjetë ditë pas kësaj deklarate të ministrit Vitia, në QKUK thanë se raporti ende nuk i është dorëzuar ministrit.
“Raporti lidhur me çështjen e mosfunksionalizimit të dy pishinave në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit tashmë është i përgatitur. Gjatë procesit të hartimit është kërkuar informata shtesë nga komisioni për të siguruar që raporti të jetë sa më i plotë dhe i saktë. Aktualisht, raporti është në procedurë dhe do t’i përcillet Bordit Drejtues, i cili më pas do ta shqyrtojë dhe do t’ia paraqesë ministrit të Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
KOHA ka raportuar në muajin shkurt se dy pishina të destinuara për hidroterapi ishin mbushur me ujë vetëm për ditën e përurimit, më 29 dhjetor 2022, ku pjesëmarrës ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri Vitia.
Vitia tha se për mosfunksionalizimin e tyre prej gati tre vjetësh ishte informuar nga raportimi në media, për çka deklaroi se ka kërkuar përgjegjësi nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së dhe Bordi Drejtues.
Pishinat i përkasin Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit dhe u shërbejnë pacientëve për hidroterapi.