Qumështin artificial për foshnjat dhe fëmijët, QKUK-ja e siguron kryesisht nga donatorët. Në këtë institucion kanë thënë se në stok ka sasi veç edhe për dy muaj, ndërsa kanë arsyetuar anulimin e tenderit për këtë produkt
Arianita Hoti
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka në stok veç edhe për 60 ditë sasi të qumështit artificial për foshnjat dhe fëmijët e shtruar në Klinikën e Neonatologjisë dhe në atë të Pediatrisë.
Në këtë institucion kanë thënë se kjo sasi është e siguruar kryesisht nga donatorët.
“Në këtë moment, ne si qendër kemi sasi të mjaftueshme vetëm për dy muaj, pasi kemi qenë të furnizuar kryesisht nga donatorët”, thuhet në një përgjigje nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Neonatologia Teuta Hasbahta ka thënë se nevoja për qumësht artificial është rritur, meqë janë shtuar edhe rastet e dështimit të gjidhënies.
“Sot kemi përqindje shumë më të ulët të nënave gjidhënëse se sa më parë. Në raste të ndjeshme, sidomos te të porsalindurit e parakohshëm, ushqyerja me qumësht formulë është e pazëvendësueshme, sepse këto formula i plotësojnë kriteret e nevojshme ushqyese”, ka thënë Hasbahta.
QKUK-ja ka shpallur tenderin për furnizim me qumësht artificial, por procesi i prokurimit është anuluar muajin e shkuar, ndonëse në të konkurruan katër operatorë ekonomikë.
Ky institucion e ka arsyetuar vendimin, duke theksuar se ofertat nuk përmbushën kriteret.
“Asnjëra nga ofertat e pranuara nuk ka qenë e përgjegjshme në aspektin teknik dhe cilësor, sipas kërkesave të përcaktuara në dosjen e tenderit... Planifikohet që ky aktivitet të rihapet përmes një konkursi të ri, në mënyrë që të sigurohet furnizimi me qumësht artificial për nevojat e institucionit”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
E në Organin Shqyrtues të Prokurimit kanë theksuar se deri tash nuk është ushtruar ndonjë ankesë.
“Mosplotësimi i kritereve teknike dhe cilësisë nga ofertuesit është bazë ligjore për anulimin e tenderit, me qëllim të garantimit të standardeve të kërkuara për produktin apo shërbimin që prokurohet... Deri më tani, në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit, pranë OShP-së nuk është paraqitur ndonjë ankesë nga operatorët ekonomikë”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.
QKUK-ja ka planifikuar buxhet prej 84 mijë eurosh për furnizim me qumësht artificial për foshnjat. Bazuar në dosjen e tenderit të anuluar, kontrata që parashihej të lidhej i është referuar periudhës së furnizimit prej një viti.