Arbëri

QKMF në Lipjan përballet me fluks të madh të pacientëve

Shtimi i rasteve me COVID-19 ditëve të fundit ka rritur tej mase punën e stafi mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

Sipas tyre, shkaku i temperaturave të larta dhe rasteve të reja deri në 500 pacientë po marrim trajtim brenda ditës në këtë institucion.

Por problem thonë se është mungesa e stafit pasi shumë prej tyre janë në pushime.

“Këto ditë jemi duke u ballafaquar me temperatura të larta që po ndikojnë në rritjen e volumit të punës për punëtorët shëndetësorë në QKMF, por edhe nëpër AMF. Pacientët që po kërkojnë shërbime janë më së shumti moshat e shtyra, por edhe fëmijët. Moshat e shtyra po vijnë më së shumti për shkak të sëmundjeve të tyre si hipertension, diabet e frymëmarrje”, tha Izer Sinani, Koordinator i QKMF-së në Lipjan.

Sinani ka bërë me dije se tek fëmijët temperaturat e larta gjatë ditës më së shumti ndikojnë në diarre, vjellje dhe probleme në fyt.

Pacientët që po e vizitojnë QKMF-në kanë thënë se të gjitha barnat po duhet t’i blejnë vetë. Por thonë se nuk kanë vërejtje tek stafi.

“Jam ardhur sepse më ka kapur dhimbje në fyt dhe erdha për të marrë shërbime mjekësore. Mjeku m’i ka shkrua disa injeksione t’i marrë”, tha Raif Gashi, banor i fshatit Akllap.

Kurse, një qytetar tjetër thotë se nuk ka vërejtje për stafin mjekësor, përveç se barnat nuk po i gjejnë shumë herë.

“Unë kam pasur nevojë për shërbime këtu edhe për bashkëshorten time, por edhe për nënën që më ka vdekur në moshën 93 vjet, andaj nuk kam vërejtje në stafin mjekësor. Për besë mirë janë si staf, veç shpeshherë nuk po ka barna. Ua di për nder për tension të lartë sa herë të vijnë s’ka probleme, por për tjera shërbime ka mungesë”, tha Adem Gugjolli, banor nga fshati Hallaq.

Sipas koordinatorit Sinani, megjithëse një pjesë e stafit janë në pushim mjekësor dhe disa mjekë janë në specializime, orari i punës në QKMF është zgjatur për dy orë deri në orën 21:00, në mënyrë që të gjithë qytetarët të marrin shërbimet e nevojshme.