Arbëri

QKMF-ja në Ferizaj furnizohet me 880 vaksina AstraZeneca dhe 130 Pfizer, nis vaksinimin për moshat 65 vjeç

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj është furnizuar me gjithsejtë 880 doza të vaksinës “AstraZeneca” dhe 130 doza me vaksinën “Pfizer”. Ky kontingjent është dedikuar për moshat mbi 65 vjeç dhe që nga mëngjesi i së premtes ka nisur procesi i dhënies së vaksinave.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj Nadire Ymeri, ka thënë për KOHEN se ky kontingjent nuk mjafton duke e ditur se Ferizaj është një ndër komunat më të mëdha dhe me numër të madh të të moshuarve mbi 65 vjeç. Sipas saj që nga mëngjesi janë shpenzuar rreth 300 vaksina derisa kërkesat janë të mëdha.

“Fillimisht më 12 maj i kemi marrë 500 doza të vaksinës “AstraZeneca” pastaj sot jemi furnizuar edhe me 380 doza po ashtu AstraZeneca dhe 130 doza “Pfizer”. Sot kemi filluar me vaksinimin e grupmoshave mbi 65 vjeç dhe do të vazhdojmë edhe gjatë ditëve në vazhdim. Pra që nga ora 8:00 e mëngjesit ka filluar vaksinimi dhe deri në ora 13:45 minuta janë dhënë 298 vaksina “AstraZeneka””, ka thënë Drejtoresha e QKMF-së në Ferizaj Nadire Ymeri.

Sipas saj edhe gjatë së shtunës do të punohet për dhënien e vaksinave, pastaj procesi vazhdon edhe prej të hënës. “Këto vaksina nuk mjaftojnë për Ferizajn, por po shpresojmë se gjatë ditëve në vazhdim të kemi edhe furnizime të tjera sepse kërkesat nga të moshuarit janë të mëdha”, ka shtuar ajo.