Arbëri

Qiraja mujore 8000 euro, ZRRE-ja thotë se ishte oferta më e lirë

Një kontratë e re për qiranë e objektit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është çështja për të cilën po raporton kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, para deputetëve në Komisionin Parlamentar për Ekonomi të martën. Siç ka mësuar KOHA, nga fillimi i dhjetorit ZRRE-ja ka arritur marrëveshje të re për qiranë mujore në vlerë prej mbi 8000 euro. Zyra e re është në një lokal me 880 metra katrorë. Deri qiraja mujore e ZRRE-së për objektin e saj ka qenë 4500 euro. Kjo zyrë kishte hapësirë 490 metra katrorë.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, ka arsyetuar këtë marrëveshje duke thënë se ka qenë më e lira nga 9 oferta që janë pranuar.

“Ne si bord jemi kompletuar në gusht të këtij viti dhe kemi marrë vendim për largim nga objekti, për dy arsye, vërejtjen nga auditori për shkak të kushteve ligjore dhe vjetërsisë. Objekti ka qenë pa leje, dhe në të kemi qëndruar prej vitit 2012, përmbi 8 zyre kanë qenë në shfrytëzim dhe kanë qenë pa leje ndërtimi. Prandaj ne në shtator kemi qenë të obliguar të lëvizim për arsye ligjore”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga 9 ofertat, 6 kanë pasur probleme me ligjin pasi kanë qenë pa leje ndërtimi.

“Çmimi i tregut është shumë shtrenjtë, por ne nuk mund të diskutojmë për çmimet e tregut, unë konsideroj që është me çmimet e tregut, dhe është hapësira minimale me të cilën kemi pasur nevojë. Ne nuk e kemi zgjedhë me shku ne hapësirën më të shtrenjtë, ne i kemi hap ofertat dhe kemi pranuar dy oferta të përgjegjshme. Në bazë të kërkesave minimale, unë si kryesues i bordit nuk kam mundur të ndërhy, është proces komplet administrativ, dhe ne kemi zgjedh ofertën më të mirë dhe më të lirë. Ku është arsyeja që nga viti 2004 ndiqemi në objekte pa leje”, ka thënë ai.