Përleshja fizike mes deputetëve të opozitës e anëtarëve të Qeverisë po vlerësohet nga njohësit e çështjeve politike se do ta përkeqësojë edhe më tej funksionimin e punës së Kuvendi. Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë që ta nisë angazhimin për “pajtim e koordinim” me opozitën, në mënyrë që të mos ngecë puna e legjislativit.
Rrahja e së enjtes në Kuvend mes anëtarëve të kabinetit qeveritar e deputetëve të pushtetit me ata të opozitës do t’i thellojë ndasitë e do të lërë pasoja serioze në funksionimin e Kuvendit, thonë njohësit e çështjeve politike.
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se prishja e raporteve deri në këtë masë do ta lërë peng agjendën legjislative, veçmas marrëveshjet ndërkombëtare me vlera të larta financiare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Pasojat e bojkotit të opozitës në kryesi dhe në seancë plenare në procesin e vendimmarrjes do të vërehen në miratimin e projektligjeve me interes publik për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Jakaj.
Edhe para përleshjes fizike në Kuvend, partitë opozitare patën paralajmëruar bojkotim të punës me mospërfshirje në vendimmarrje.
Kjo sipas njohësit të çështjeve politike e kushtetuese, Mazllum Baraliu, ndonëse mund të jetë mjet politik, nuk përkon me përgjegjësitë që i kanë të zgjedhurit e popullit.
“Nuk do të duhej lejuar në asnjë mënyrë që tani kjo të shërbejë për thellimin e ndasive. Përkundrazi, duhet vënë gishtin në kokë, pozitë-opozitë dhe të kthehen në Kuvend të punojnë, të vazhdojnë aktivitetet dhe detyrat e tyre”, ka deklaruar Baraliu.
Të dy vlerësojnë se është pushteti ai që duhet të thërrasë për dialog e koordinim me opozitën në mënyrë që të mos lejohet të ngecë funksionimi i Kuvendit.
“I takon Qeverisë që të negociojë dhe të konsultohet në mënyrë publike, transparente me opozitën në mënyrë që këto ligje të kalohen dhe të mos jenë pjesë e një procesi të tejzgjatur gjë që nuk përkon me standardet minimale të sjelljes së përfaqësuesve të cilët ne i votojmë në zgjedhjet parlamentare”, ka theksuar Jakaj.
E Baraliu ka folur mungesën e bashkëpunimit mes pushteteve dhe opozitës edhe në të kaluarën.
“Pozita e ka për detyrë, dhe fatkeqësisht jo vetëm kjo qeverisje, por asnjë deri më tani që kemi pasur në këta 23-24 vjet nuk kanë qenë të afta sa duhet dhe të përkushtuara sa duhet që të arrijnë të afrohen pozitë-opozitë, të koordinohen të bashkëpunojnë dhe të kenë platforma konsensuale për çështje madhore, asnjëherë”.
Brenda seancës plenare të enjten deputetë të PDK-së e anëtarë të Qeverisë u përfshinë në përleshje fizike, e cila nuk është parë ndonjëherë në Kuvend. Pamjet e shëmtuara janë kritikuar ashpër nga opinioni publik në Kosovë e edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar. Dhuna e shkaktuar në Kuvend ka bërë që të nisin hetimet për personat e përfshirë.