Arbëri

Qeveria synon t’i ndryshojë tri ligje që të largojë “pengesat” për rritjen e pagës minimale

Qeveria po synon që përmes një ligji t’i ndryshojë tri ligje që krijojnë kosto në rast të rritjes së pagës minimale. Në draft-projektligjin i cili ka dalë në konsultime publike, pensioni i veteranëve, personave të verbër dhe personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë do të përcaktohen nga Ministria e Financave.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve po synon që përmes një ligj t’i largojë “pengesat” për rritjen e pagës minimale.

Në draft-projektligjin që ka dalë në konsultime publike synohet të ndryshohet Ligji për veteranët, ai për persona të verbër, si dhe Ligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Pas ndryshimeve, këtyre kategorive nuk u garantohet pension në lartësinë e pagës minimale.

Ndryshimet e propozuara parashohin që “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve të UÇK-së, Qeveria me propozim të Ministrisë përgjegjëse për financa vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual”.

Ministria e Financave do të vendosë edhe për lartësinë e shumës së kompensimit për personat e verbër dhe për persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, në një organizim të Zyrës së Fondacionit Gjerman Friedrich Ebert(FES) ka paralajmëruar se paga minimale do të rritet në 250 euro.

“Paga minimale nuk duhet të jetë pengesë në krijimin e vendeve të punës për punëtorët me produktivitet të ulët. Pra, duhet të sigurohemi që ajo të mos kalojë një prag të caktuar, si pjesë e pagës mesatare. Studimet e tregut të punës kanë treguar se kalueshmëria është rreth 56 për qind e pagës mesatare. Sapo të bëhet më e lartë se 56%, atëherë i dëmton njerëzit”, ka thënë ai.

Ditë më parë, sindikatat kanë kërkuar që paga minimale të mos jetë me e vogël se 350 – 400 euro.

Paga minimale aktualisht është 130 përkatësisht 170 euro.

Por, Bislimi ka kritikuar sindikatat duke thënë se paga minimale duhet të diskutohet nga ekspertë e jo nga grupet e interesit. Sipas tij, s’ka logjikë që dikush të hyjë në sindikatë, kur merr pagën minimale.

Me legjislacionin në fuqi, rritja e pagës minimale rrit automatikisht edhe pensionet e veteranëve. Kjo pasi ndryshimet në Ligjin e veteranëve hyjnë në fuqi vetëm pasi të bëhet kategorizimi përfundimtar i veteranëve të luftës, e i cili nuk është bërë që nga viti 2017.