Automjetet me targa ilegale të Serbisë mund të qarkullojnë rrugëve të Kosovës edhe pas 1 nëntorit. Qeveria ka vendosur që nga kjo datë të ketë shkallëzim sanksionesh: në tri javët e para qortim; nga 21 nëntori për dy muaj rresht shqiptim gjobash; nga 21 janari targa provuese; e nga 21 prilli zbatim të tërësishëm të vendimit. SHBA-ja është shprehur e zhgënjyer me vendimin e Qeverisë, meqë kërkonte shtyrjen e zbatimit të vendimit për 10 muaj. E, Lista Serbe ka paralajmëruar “përgjigje të ashpër” ndaj planit të Qeverisë
Qeveria e Kosovës është sprapsur nga përcaktimi për ta zbatuar nga 1 nëntori vendimin për targat ilegale të Serbisë. Ajo ka lansuar formulën, sipas së cilës implementimi do të ndodhë shkallë-shkallë brenda gjashtë muajsh, zgjidhje kjo që nuk i ka kënaqur ndërkombëtarët që kërkonin shtyrjen e zbatimit për dhjetë muaj të tjerë.
Zbatimi gradual i vendimit për konvertimin e targave me akronime serbe për qytetet e Kosovës të lëshuara nga Serbia në ato RKS u miratua në mbledhjen e Qeverisë, e cila u mbajt të premten. Në vend se ky vendim të hyjë në fuqi plotësisht më 1 nëntor, ashtu siç ishte paraparë, implementimi i plotë i tij do të bëhet tek në muajin prill të vitit të ardhshëm.
Serbët, të cilët posedojnë automjete me targa ilegale, fillimisht do të qortohen, më pas do të gjobiten, pastaj do të detyrohen të bartin targa provuese e tek në prill parashihet që veturat me targa ilegale të Serbisë të largohen plotësisht nga qarkullimi.
Kur pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti foli për këtë vendim, ai nuk e interpretoi atë as si shtyrje e as nuk tha se me të ndryshohet vendimit. Por, tha se bëhet fjalë për sekuencim të sanksioneve për moszbatuesit e ligjit, pasi që, sipas tij, zbatimi i tij do të fillojë nga data 1 nëntor.
“Nga data 1 nëntor e vitit 2022 do të kemi sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve për moszbatueshmëri të ligjit e të vendimit qeveritar, konkretisht në tri javët e para të muajit që vjen. Nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor të gjithë ata që kanë targa ilegale do t’iu shqiptohet qortimi, më pastaj nga 21 nëntori për dy muaj nuk do të ketë vetëm qortim, por do të ketë gjobë. Më pastaj prej 21 janarit të vitit të ardhshëm deri më 21 prill për tre muaj është e mundshme vetëm me targa provuese, por jo më me targat KM”, ka thënë Kurti, në konferencën për shtyp.
Sipas përllogaritjeve të autoriteteve, rreth 10 mijë targa me akronime serbe për qytetet e Kosovës, si KM, PZ, PR, UR e të tjera, qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë. Kosova i konsideron ilegale këto targa që lëshohen nga Serbia.
Kryeministri e ka arsyetuar vendimin për t’i ndaluar tërësisht ato pas gjashtë muajsh, pasi ka thënë se zbatimi i menjëhershëm mund ta eskalonte situatën pas, siç tha ai, fushatës agresive të Serbisë, por para së cilës tha se nuk do të dorëzohet. Në kuadër të këtij arsyetimi ai përmendi edhe takimet me ndërkombëtarët, por përmendi edhe Samitin e Berlinit që mbahet më 3 nëntor.
“Ne e dimë që në javën e parë të nëntorit, e kemi Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet për herë të parë me kancelarin Scholz, por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera me ndërkombëtarë sa i përket pozicionit të Kosovës në raport me BE-në dhe jo vetëm. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga fqinji verior kundër serbëve të Kosovë dhe që të gjitha këto na kanë bërë që zbatimin e vendimit kurrsesi të mos e shtyjmë, por ta përshkallëzojmë dhe ta sekuencojmë atë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Bashkë me të, në konferencë ka dalë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla. Ai ka thënë se nuk ka arsye të eskalimit të situatës, porse për çdo rast autoritetet e rendit janë të gatshme të reagojnë.
Sveçla ka theksuar se institucionet profesionale kanë bërë vlerësim të rrezikut dhe në bazë të tij forcat e rendit janë të përgatitura t’i përgjigjen çfarëdo lloj rreziku.
Sveçla ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është e interesuar që të ketë eskalim të situatës dhe se atë po e provokon presidenti i Serbisë, Qeveria e Serbisë dhe, siç tha ai, “veglat e tyre në veri”.
“Në vazhdimësi ka shkelje të ligjit atje, por duke pas parasysh edhe përvojat e kaluara, ne vlerësojmë se mund të ketë rreziqe për të cilat institucionet e Kosovës janë plotësisht të afta për t’u përballur”, ka thënë Sveçla.
SHBA-ja zhgënjehet me vendimin e Kurtit
Rreth një orë para se Qeveria ta merrte këtë vendim, kryeministri Kurti ka pasur një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, të cilëve ua ka kumtuar paraprakisht atë që Qeveria e tij do ta miratonte një orë pas. Për implementimin e vendimit në këtë formë graduale, kryeministri u shpreh se nuk mori kurrfarë qëndrimi nga ambasadorët e këtyre vendeve.
“Natyrisht që qëndrimi, ideja ka qenë që gjithçka të spostohet në kohë për më shumë muaj, por ne besojmë që kjo është zgjidhja më e mirë. Patën disa pyetje dhe pastaj thanë që ju nevojitet të konsultohen me kryeqendrat e tyre për të dhënë mendimin e tyre për këtë vendim tonin”, ka thënë Kurti.
Por, pak pas publikimit të vendimit, ka publikuar një reagim Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH). Në komunikatën e lëshuar nga DASH, është thënë se Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera që Qeveria nuk e shtyu afatin për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtare për të bërë një gjë të tillë”, thuhet në deklaratë. “Zgjatja e afatit do të ishte në interes që të arrihej përparim në dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”.
DASH-i ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të punojnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, në qendër të cilës, sipas Washingtonit, duhet të jetë njohja reciproke.
Lista Serbe paralajmëron “përgjigje të ashpër” ndaj planit të Qeverisë
Plani i Qeverisë është kundërshtuar edhe nga Lista Serbe, subjekt politik ky që udhëheq me 9 prej 10 komunave me shumicë serbe dhe që ka të 10 vendet e garantuara për serbët në Kuvendin e Kosovës.
Sipas vendimit të Qeverisë, një gjobë e shqiptuar për ata që nuk e respektojnë vendimin e Qeverisë për t’i kthyer tabelat e veturave në RKS do të kushtojë 150 euro. Por, për gjobën e parë, të cilën autoritetet kosovare do ta shqiptojnë, rezistenca nga serbët do të jetë e ashpër, kanë paralajmëruar në këtë subjekt politik.
Në një komunikatë shtypi të lëshuar nga kjo parti, ajo lansoi mesazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, se serbët në Kosovë nuk janë vetëm dhe se Serbia nuk e lejon persekutimin e dëbimin. Populli serb në Kosovë, Lista Serbe, nuk do ta vëzhgojë në heshtje planin e kryeministrit Kurti për implementim të vendimit për targa.
“Duke pasur parasysh planin e Albin Kurtit për të shqiptuar qortime dhe dënime të tjera ndaj serbëve që posedojnë targa legale dhe legjitime të lëshuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë, në emër të popullit serb nga kjo zonë duam t’i themi atij qartë dhe pa mëdyshje se shqiptimi i masës së parë të gjobës do të jetë shkak për një përgjigje dhe rezistencë të ashpër nga populli serb, sepse jemi të vetëdijshëm për qëllimet e vërteta të pushtetarëve nga Prishtina”, është thënë në komunikatë.
Zbatimi i vendimit për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por pas barrikadave të vëna nga serbët në veri të vendit dhe sulmeve të armatosura, Qeveria e pati shtyrë për një muaj zbatimin, me kërkesë të ndërkombëtarëve. Qeveria kishte vendosur që afati i konvertimit të përfundojë më 31 tetor, por ajo së fundmi ka pasur edhe një kërkesë të ndërkombëtarëve për ta shtyrë për 10 muaj të tjerë. Brenda dy muajve prej kur ka nisur afati i konvertimit, vendimit të Qeverisë i janë përgjigjur gjithsej 20 pronarë automjetesh me targa ilegale. Në fillim të afatit, dy serbëve të veriut, që kishin bërë konvertimin, u ishin djegur pasuri të paluajtshme – njërit automjeti e tjetrit garazhi.
LDK e brengosur pas zhgënjimit amerikan
E, pas deklaratës së lëshuar nga DASH-i, kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria duhet t’i trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë, ShBA-në dhe BE-në.
“Tejet i rrezikshëm zhgënjimi i ShBA-së dhe aleatëve ndërkombëtarë me Qeverinë e Kosovës” është titulli i një njoftimi për media që ka lëshuar LDK-ja.
Në njoftim është cituar Abdixhiku të ketë shtruar nevojën për vendime që merren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve tanë dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin tonë politik. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fundamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë, si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike”, ka thënë ai, gjatë një aktiviteti partiak në Dragash. “E drejta e zbatimit të ligjit në gjithë territorin e vendit, e ritheksuar në këto rekomandime ndërkombëtare, duhet të vlerësohet si garanci për vendin tonë. Kosova ka çdo të drejtë në vendosjen e ligjshmërisë, siç dhe e ka domosdoshmëri koordinimin me aleatë në ndjekjen e synimeve strategjike”.