Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë për Energji 2022-2031. Me të ajo synon që deri në fund të vitit 2031 të ketë rreth 1 mijë e 600 megavat kapacitete të instaluara nga burimet e ripërtëritshme. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vitin e ardhshëm do të funksionalizohet bursa e përbashkët me Shqipërinë dhe se janë duke shqyrtuar investimet e përbashkëta me Shqipërinë në termocentralin me gaz natyror në Vlorë
Me nëntë muaj vonesë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë për Energji 2022-2031, me të cilën parasheh që deri në fund të vitit 2031 të ketë 1 mijë e 600 megavat kapacitete të instaluara nga burimet e ripërtëritshme. Kjo strategji ishte premtuar se do të sillej në Qeveri në mars të këtij viti, por se është shtyrë pas krizës energjetike të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë.
Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo strategji vendos qytetarët në qendër duke u siguruar atyre qasje në energji me kosto të përballueshme.
“Ndërkohë, investimet në kapacitet bazë e thëngjillit janë të domosdoshme për të rritur sigurinë e furnizimit në afat të shkurtër. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar me ndërtimin e tregun të përbashkët me Shqipërinë, bursa e përbashkët me Shqipërinë do të funksionalizohet në vitin që po hyjmë, ndërsa bashkë-investimet në termocentralin me gaz natyror në Shqipëri tani më janë duke u shqyrtuar”, ka thënë Kurti.
Sigurimi i furnizimit me energji elektrike me kosto të përballueshme dhe të pastër, sipas tij, është thelbësor për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për mirëqenien sociale të qytetarëve të saj.
“Kjo strategji parasheh zhvillime të shpejta e bindëse në sektorin e energjisë siç parashihet në vizionin e qeverisë për energjinë dhe në përputhje me qëllimin tonë dhe të BE-së. Strategjia synon të zhvillojë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun PAN-evropian që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshme për qytetarët”, ka theksuar Kurti.
Sipas tij, ky dokument parashikon një rritje dinamike të burimeve të ripërtëritshme të energjisë kryesisht në teknologji të erës dhe fotomoltaike.
Në Strategjinë për energji nuk parashihen kapacitete të reja nga hidrocentralet, por vetëm nga era dhe dielli. Ministrja Artane Rizvanolli ka thënë se shkaku i dëmeve ambientale dhe mungesës së resurseve ujore, nuk parashihen projekte të tilla.
“Efiçienca e energjisë dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë janë dy shtylla kryesore të kësaj strategjie dhe deri në fund të kësaj strategjie parashihet t’i kemi në sistem 1600 megavatë kapacitet nga burimet e ripërtëritshme të energjisë kryesisht nga era dhe diellore, ndërkohë që kapacitetet e reja nga burimet ujore nuk parashihen duke marrë parasysh mungesën e resurseve ujore, por edhe dëmin ambiental të bërë deri më tani në zhvillimin e këtyre kapaciteteve”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, Strategjia vendos themelet për një sektor të ri energjetik më të pastër dhe efiçient.
“Është një dokument i cili vendos orientimet afatgjate të zhvillimit të sektorit të energjisë, vendos themelet për një sektor të ri të energjisë më të pastër, më efiçient dhe një sektor në të cilin qytetarët janë më të përfshirë, një sektor më demokratik, ku qytetarët janë më aktivë”, ka thënë ajo.
Strategjia sipas saj, përkrah edhe grupet më të cenueshme.
“Përkrahja e grupeve më të cenueshme siç janë të varësitë, por edhe përfituesit e ndihmës sociale edhe grupet e tjera të cenueshme si pensionistët, nënat vetushqyese do të jenë të privilegjuar në kuptim që do të ketë skema mbështetëse specifike për ta, për të siguruar që ata gjithashtu mund të përfitojnë nga tranzicioni energjik“, ka theksuar ajo.
Teksa i ka listuar pesë objektivat kryesore të kësaj strategjie ajo ritheksoi edhe integrimin e tregut dhe bashkëpunimin e resurseve energjetike në Shqipërinë.
“Një rëndësi e veçantë i kushtohet integrimit të tregut dhe bashkëpunimit në komunikimit të resurseve energjike me Republikën e Shqipërisë në këtë aspekt hapi i parë e më i rëndësishëm që vjen është funksionalizimi i bursës së përbashkët të energjisë elektrike ‘Alpeks’ gjatë vitit në të cilin po hyjmë dhe gjithashtu siç e dini veçse kemi filluar t’i shqyrtojmë edhe mundësitë për bashkinvestim në një termocentral me gaz natyror në Vlorë, të cilin do ta shfrytëzonim edhe Republika e Shqipërisë dhe Kosovës”, ka theksuar ajo.
Katër objektivat tjera janë përmirësimi i besueshmërisë së sistemit dhe sigurisë së furnizimit, dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme, rritja e efiçiencës së energjisë dhe fuqizimi i konsumatorëve.
Edhe masat e ndërmarra për luftimin e krizës energjetike, sipas Rizvanollit, janë në përputhje me strategjinë afatgjate 2022-2031.
“Çfarëdo investimi që do të bëjmë tani për luftim të krizë ka ndikim pozitiv edhe në afat të gjatë dhe nuk është diçka që do të kthehemi prapa, por është një hap i duhur në drejtim të tranzicionit energjetik”, ka thënë ajo.
Strategjia parasheh që brenda një dekade të shpërbëhen dy njësi të termocentralit “Kosova A”. Ani se këto njësi do të jenë jashtë funksionit, në këtë dokument nuk është përfshirë fare çështja e punëtorëve të KEK-ut që punojnë në to.
Strategjia për energji lë jashtë edhe sektorët e transportit dhe të industrisë. Kjo qasje sektoriale është kritikuar se nuk e mundëson një tranzicion të drejtë dhe efikas të energjisë.
Në shoqërinë civile kanë vlerësuar se lënia anash e këtyre komponentëve mund ta minojë procesin e përgjithshëm të dekarbonizimit.
E në Ministrinë e Ekonomisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS mbi shkaqet e mospërfshirjes së punëtorëve të KEK-ut në dokument.
Në KEK, ndërkaq, kanë treguar se një përfaqësues i ndërmarrjes ka qenë pjesë e hartimit të strategjisë dhe se i ka paraqitur qëndrimet e Korporatës.
“Gjatë hartimit të dokumentit, KEK-u ka paraqitur qëndrimet që ndërlidhen me çështje të caktuara për të ardhmen e KEK-ut. Megjithatë, për të komentuar rreth kësaj teme konsiderojmë se duhet të pritet që dokumenti të finalizohet dhe të miratohet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli.
Në KEK nuk kanë treguar nëse ekziston ndonjë planifikim lidhur me punëtorët, pas shpërbërjes së dy njësive të Termocentralit “Kosova A”.
Ndërkohë të premten, pas mbledhjes së Qeverisë, ministrja Rizvanolli është pyetur edhe për kërkesën e KOSTT-it për fonde shtesë për rrymën në veri. Sipas Rizvanollit çështja e mospagesës së rrymës në komunat veriore duhet të ketë një zgjidhje, dhe se një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë përjetësisht.
“KOSTT ka bërë javën e kaluar ka kërkuar fonde shtesë. Jemi në një kohë kur zgjidhja për çështjen e mospagesës dhe mosfaturimit të energjisë elektrike në komunat veriore të Kosovës duhet të ketë një zgjidhje. Ne kemi shpresuar dhe kemi punuar maksimalisht me përkushtimin më të madh si institucione që nga niveli më i lartë në dialog në Bruksel e deri tek institucionet tona si KOSTT, edhe KEDS që të përmbushim të gjitha pikat e marrëveshjes të udhërrëfyesit të nënshkruar në maj të këtij viti për zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht.
“Jemi në një situatë ku pala tjetër ka përmbushur disa prej obligimeve, por jo të gjitha, mirëpo kjo situatë nuk mund të vazhdojë përjetësisht kështu e posaçërisht në një kohë të krizës, mirëpo është edhe çështje parimore që qytetarët në gjithë vendin duhet të paguajnë për shërbimet që marrin dhe sigurisht duhet të keni cilësinë dhe shërbimet e duhura”, ka theksuar Rizvanolli.
Ekzekutivi gjatë mbledhjes së të premtes ka miratuar edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për energji, me të cilin synon ndërhyrjen më të lehtë në kohë krizash.