Qeveria e Kosovës në detyrë, në mbledhjen e mbajtur të premten, ka marrë vendim për nisjen e procedurave për thellimin e bashkëpunimit me komunitetet arbëreshe, përmes inicimit të procesit për ngritjen e memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Arbëshkun Hora në Itali, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo nismë ka për qëllim ruajtjen, promovimin dhe zgjerimin e trashëgimisë kulturore, duke e cilësuar projektin si një donacion për komunitetin arbëresh në Itali.
“Në kuadër të nismave për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe komuniteteve arbëreshe, veçanërisht në ruajtjen, promovimin dhe zgjerimin e trashëgimisë kulturore, Qeveria e Kosovës inicion hapat për thellimin e këtij bashkëpunimi duke nisur procesin e ngritjes së memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Arbëshkun Hora në Itali. Ky projekt do të jetë donacion për komunitetin arbëresh në Itali”, tha ai.
Ndërkaq, zëvendësministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, tha se kjo nismë synon forcimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve arbëreshe dhe popullit të Kosovës. Ajo theksoi se lokacioni për memorialin do të sigurohet nga Bashkia Hora e Arbëreshëve dhe se për realizimin e projektit do të jetë një komisioni profesional.
“Me qëllim të fuqizimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve arbëreshe dhe popullit të Kosovës, propozoj nismën për ngritjen e memorialit të familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në Arbëshkun Hora në Itali. Lokacioni do të sigurohet nga Bashkia Hora e Arbëreshëve. Me qëllim të realizimit të kësaj nisme propozohet formimi i komisionit profesional me ekspertë të fushës së artit dhe të kulturës”, tha ajo.
Në mbledhjen e së Premtes Qeveria ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore Industria e Mobileve “Përparimi”, si dhe të pronave private, për nevoja të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Kyçjes së Vitisë në autoudhën ‘Arbër Xhaferi’, Prishtinë – Hani i Elezit”.
Po ashtu, është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Rrugës Tranzit në Klinë, nga N9 deri në R-104”, Klinë – Gurakoc.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Qeveria ka marrë gjithashtu vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i Rrugës Nacionale M25 Prishtinë – Podujevë”.
Gjithashtu Qeveria ne detyrë ka miratuar vendimin për konfirmimin e obligimit të zbatimit të vendimeve të CEFTA-s dhe protokolleve të saj, me qëllim garantimin e tregtisë së lirë, konkurrencës së ndershme dhe përfitimit për konsumatorët.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se zbatimi i obligimeve brenda CEFTA-s po krijon kushte më të favorshme për ekonominë dhe qytetarët.“Obligimet e ndërmarra brenda CEFTA tani sigurojnë tregti më të lirë dhe shërbime më të shpejta, besueshmëri digjitale, qasje të barabartë dhe konkurrencë të drejtë dhe përfitim për konsumator”, tha ai.
Ekzekutivi në detyrë ndau edhe mbi 700 mijë euro për rinovimin e depos qendrore të barnave
Qeveria ndan 1.6 milionë euro për studentë
Qeveria në detyrë ka ndarë 1.6 milionë euro për programin “Bursa e Mobilitetit” për studentë. Sipas këtij programi do të përfitojnë 10 mijë studentë, ku niveli i bursës do të përcaktohet nga vendbanimi ku jetojnë dhe vendi ku studiojnë.
Po ashtu, Qeveria arsyetoi vendosjen e regjimit të vizave për Republikën e Fixhit, siç tha ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për shkak të harmonizimit të politikës së vizave me Bashkimin Evropian.
“Kosova ka regjim pa viza me 17 shtete që ndodhen në listën e vendeve që BE-ja aplikon regjim të vizave. Rregullorja që i dha statusin e Kosovës për lëvizje pa viza thekson qartë se për të siguruar një menaxhim të rregullt të emigracionit, Republika e Kosovës duhet të synojë harmonizimin e plotë të politikës së saj me atë të BE-së. Kosova është zotuar të harmonizojë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, duke shfuqizuar gradualisht marrëveshjet për lëvizje pa viza me shtete për të cilat BE-ja kërkon vizë për të paktën një shtet në vit, duke filluar nga viti 2025”, tha ajo.