Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka emëruar disa persona në disa pozita të larta drejtuese.
Fikrije Zymberi, është emëruar drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë për arsimin dhe aftësimin profesional dhe arsimin për të rritur.
Drejtoreshë e përgjithshme e Inspektoratit të arsimit është emëruar Besa Bytyqi -Baraliu, ndërsa Sebahate Dushani-Ibrahimi, është emëruar drejtoreshë ekzekutive në Agjencinë e Meteorologjisë së Kosovës.
Labinot Zeqiri është emëruar kryeinspektor i Inspektoratit qendror shëndetësor.
Për këto emërime kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se nuk po nisin procese të reja, por po i përmbyllin ato që kanë nisur në kohën kur qeveria ka qenë në mandat të rregullt.
“Sot do të marrim vendime për emërime në pozita ta larta drejtuese si dhe për formimin e komisioneve ad-hock apo komisioneve të përkohshme me qëllim përmbylljen e proceseve rekrutuese, të gjitha këto të filluara para datës 22 mars 2025, kur qeveria jona ka kaluar në qeveri në dorëheqje. Në këtë rast me këto vendime nuk po fillojmë procese të reja, por vetëm po i përmbyllim ato që kemi nisur e janë zhvilluar gjatë mandatit tonë të rregullt”, ka deklaruar Kurti.