Arbëri

Qeveria ndan mjete për pagat e punëtorëve të RTK-së

Qeveria në detyrë mbledhje 27 nëntor 2025

Foto: Driton Paçarada

Qeveria në detyrë ka ndarë 4 milionë e 480 mijë euro për pagat e punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës.

Gjatë mbledhjes të enjten, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se ndarja e mjeteve është bërë nga kategoria e kursimeve.

“Kjo zgjidhje e sotshme është veçse një improvizim i detyruar, pas përpjekjeve tona të vazhdueshme që ta miratojmë në Kuvend buxhetin për RTK-në”, u shpreh Kurti.

Punëtorët e RTK-së nga e hëna nisën grevë dyorëshe për shkak të mosmarrjes së pagave.


Murati: Mjetet për RTK-në i morëm nga organizata buxhetore, partitë e tjera refuzuan ta votojnë buxhetin

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas mbledhjes së qeverisë në një konferencë për media, deklaroi se kanë ndarë mjete për pagat e punëtorëve të RTK-së, duke marrë nga organizatat e tjera buxhetore për shkak të refuzimit nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja e Nisma që të votojnë për themelimin e komisionit për buxhet e financa në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se mjetet nuk u ndanë deri më tani për shkak se ndarja e tyre është dashur të miratohej në Kuvend dhe sipas Muratit refuzimi erdhi ndonëse sipas tij nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore.

“Sa i përket ndarjes së mjeteve deri tash është pritur sepse është dashur ta kryej Kuvendi miratimin. PDK, LDK, AAK, Nisma, kanë refuzuar kategorikisht, pavarësisht që nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore që ta kryenin detyrën e tyre, të themelohej komisioni për buxhet dhe financa në Kuvendin e Kosovës i cili është përgjegjës për alokimin e mjeteve për RTK-në. Si qeveri na është dashur të marrim mjete nga organizatat e tjera buxhetore në vend se të merren mjetet të cilat janë të përcaktuara për RTK-në pas votimit për komisionin për buxhet dhe financa”, deklaroi Murati.

Murati foli edhe për buxhetin e Komunës së Prishtinës, të cilin e quajti problem të vetëshkaktuar. Ministri në detyrë i Financave, deklaroi në konferencën për media se të njëjtin problem e kanë pasur edhe Komuna e Gjilanit dhe Zubin Potokut porse ato nuk kanë hyrë në obligime pa mbulesë financiare.

“Më vjen mirë që tashmë po i vjen fundi edhe farsës së prezantuar tash e disa ditë. Sot me sa e di ka mbledhje të Kuvendit Komunal të Prishtinës i cili do të alokojë mjetet nga të hyrat vetanake. Ky ka qenë një problem i vetëshkaktuar. Ska pasur të bëjë me buxhet. Komuna e ka pasur të alokuar buxhetin për mallra dhe shërbime. Ka qenë tejkalimi i buxhetit ai që e ka shkaktuar problemin. Ai ka shkelur ligjin për ndarjet buxhetore duke hy në obligime pa mbulesë, duke liruar për pagesë të biletave dhe ka marrë përsipër obligimet pa e pasur buxhetin. Kjo nuk ka ndodhur edhe me Komunën e Gjilanit dhe Zubin Potokut, sepse këto komuna nuk kanë hyrë në obligime pa mbulesë financiare”, deklaroi Murati.

Bajrami pasi Qeveria ndau pagat për RTK-në: E gjetën zgjidhjen me 28 ditë vonesë

9 o. më parë / 27 nën 2025 13:13
Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjen e mjeteve për pagat e punëtorëve të RTK-së si të vonuar dhe të inskenuar nga vetë ekzekutivi.

Në një reagim në Facebook, Bajrami ka thënë se punëtorët e RTK-së u lanë pa paga për një muaj të tërë, duke i detyruar të hyjnë në protesta e greva, ndërsa në fund – sipas saj – Qeveria po paraqitet si shpëtimtare.

“I paskan nda mjetet për RTK. E kemi thënë prej ditës së parë: këta vetë janë prodhues të krizave. I lanë një muaj pa paga punëtorët e RTK-së, me protesta e greva, dhe në fund jo Kuvendi, por këta uzurpatorët e Qeverisë paskan gjetë zgjidhje, me 28 ditë vonesë”, shkroi Bajrami.

Ajo akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti për, siç tha, krijim artificial të krizave me qëllim që të shfaqet më pas si shpëtimtar.

“Albin Kurti me klikën e tij jeton duke shkaktuar kriza, duke i bë njerëzit me vuajtë, duke i mbajtur qytetarët të varur nga vendimet e tij, e pastaj të dalin si shpëtimtarë, por ranë maskat”, ka shkruar ajo.

Bajrami kërkoi që Qeveria të ndërpresë, siç i quajti ajo, bllokadat dhe të gjejë zgjidhje edhe për Komunën e Prishtinës.

“Ndalni bllokadat, tash uluni me Komunën e Prishtinës dhe gjeni zgjidhje! Qytetarët paguajnë taksa për të marrë shërbime, jo për t’u maltretuar nga inskenimet e mashtrimet tuaja”, ka thënë Bajrami.

Në fund, ajo paralajmëroi se qytetarët do të japin përgjigje më 28 dhjetor.

“28 dhjetori do të jetë dita kur do të merrni përgjigjen për krejt këtë keqtrajtim që po u bëni qytetarëve”, ka shkruar Bajrami.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria në detyrë ndau mbi 4 milionë euro për pagat e punëtorëve të RTK-së.