Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria miraton rialokimin e 50 mijë eurove për rikonstruktimin e xhamisë së Ibrit

Mbledhja e Qeverise

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur mbledhjen e radhës të qeverisë dhe të parën si kabinet qeveritar në detyrë. 50 mijë euro u miratuan të rialokohen për rikonstruktimin e xhamisë së Ibrit në Mitrovicë.

Kurti deklaroi gjatë mbledhjes se po synohet që pas rindërtimit të ruhet dhe restaurohet, si objekt me vlerë të veçantë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Rikonstruktimi i xhamisë së djegur të Ibrit paraqet një hap me rëndësi në ruajtjen e dëshmisë kulturore e fetare dhe diversitetit kulturor të Kosovës. Kjo xhami ka një vlerë të veçantë për komunitetin lokal dhe përfaqëson një simbol të bashkëjetesës dhe trashëgimisë së qytetit të Mitrovicës. Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka propozuar rialokimin e 50 mijë eurove për realizimin e projektit të rikonstruktimit të saj. Synohet ruajtja dhe restaurimi i këtij objekti me rëndësi historike e kulturore i cili fillimisht ka nevojë për rindërtim”, ka deklaruar Kurti për këtë pikë të rendit të ditës para se të miratohet.

Gjatë kësaj mbledhje u miratua edhe themelimi i Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Me anë të këtij Këshilli i cili ka mandat 3-vjeçar, u deklarua se po synohet parandalimi i aksidenteve në vendin e punës dhe kushte më të sigurta.

“Këshilli do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve, punëdhënësve, të punësuarve dhe ekspertëve të fushës me mandat 3-vjeçar. Themelimi i këtij Këshilli synon forcimin e standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë, parandalimin e aksidenteve dhe përafrimin e mëtejmë të standardeve vendore me ato evropiane. Funksionalizimi i këtij mekanzimi do të mundësoj koordinim më efektiv ndërinstitucional, bashkëpunim të strukturuar ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të punëdhënësve e punëmarrësve”, ka thënë ministri i Punës, Andin Hoti.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje u miratua edhe ndryshimi dhe plotësimi i vendimit të Qeverisë për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar Gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhjeje të Qeverisë në detyrë, u miratua edhe kërkesa për shpronësimin e disa pronave të paluajtshme në Podujevë të menaxhuara nga AKP-ja, të cilat e mundësojnë realizimin e projekteve “Ndërtimi i banesave me kosto të përballueshme” dhe “Objektit Edukativo-Arsimore - Çerdhe për fëmijë”.

Nga ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila u propozua përditësimi i Listës Shtetërore Strategjike për Mallra Ushtarake, duke iu referuar Listës së Bashkimit Evropian, për mallrat që vihen nën kontroll për shkak të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike, ose për arsye të drejtave të njeriut.

Këto pika të rendit të ditës, bashkë edhe me 13 të tjera, u miratuan nga kabineti qeveritar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Kjo është mbledhja e parë e mbajtur si qeveri në detyrë që kur u konstituuan institucionet më 11 shkurt të këtij viti, të prodhuara nga zgjedhjet e 28-dhjetorit.

Kuvendi u shpërnda pasi deputetët e legjislaturës së 10-të nuk arritën të zgjedhin një president a presidente në afatet e përcaktuara kushtetuese.