Arbëri

Qeveria hesht pas iniciativës së amerikanëve për konsultime rreth Asociacionit

Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar rreth diskutimeve të paralajmëruara nga ambasada amerikane për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, teksa ministri për komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq e konfirmuar pjesëmarrjen në diskutimin e javës së ardhshme. Njohës të Kushtetutës thonë se Asociacioni nuk mund të themelohet duke anashkaluar Qeverinë

Ndryshe prej përcaktimit të kryeministrit Albin Kurti, eksponentë të qeverisë të cilën e drejton, kanë paralajmëruar pjesëmarrje në diskutimet e Ambasadës së SHBA-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Ambasadës për të martën e javës së ardhshme.

“KOHA” ka raportuar se, më 31 janar Ambasada e SHBA-së do të mbledhë grupe të ndryshme nga shoqëria civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë, siç thuhet, për të diskutuar për këtë temë të rëndësishme.

Në zyrën e kryeministrit nuk kanë dhënë një qëndrim përkitazi me diskutimet e iniciuara nga amerikanët.

Kurti deri tash ka refuzuar të diskutojë për Asociacionin, duke insistuar që dialogu të zhvillohet për marrëveshjen finale e cila në qendër ka njohjen reciproke.

SHBA-ja dhe BE-ja intensifikuan përpjekjet për nisjen e diskutimeve rreth Asociacionit me vizitat e fundit në Prishtinë e Beograd.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha javën e kaluar se Kurti nuk ka nevojë të pajtohet, pasi Kosova është pajtuar me Asociacionin.

Dilemat kushtetuese e ligjore rreth Asociacionit

Por njohës të Kushtetutës thonë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të themelohet, duke anashkaluar Qeverinë.

“Kjo përpjekje, pa asnjë dyshim, synon amnistimin e qeverisë aktuale, sepse mëton të shoqërojë një kompetencë kushtetuese të Qeverisë. Qytetarët dhe shoqëria civile nuk kanë asnjë kompetencë kushtetuese për propozim dhe zbatim të politikës së jashtme të vendit. Kjo që synohet të bëhet, rrënon rendin kushtetues, dërgon në sferën populiste të një kompetence të qartë kushtetuese të ekzekutivit të vendit”, ka thënë për “KOHËN” ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

“Kushtetuta është e qartë sa u përket kompetencave të Qeverisë së Kosovës: ajo propozon dhe zbaton politikën e jashtme dhe të brendshme të vendit. Këtij detyrimi kushtetues nuk mund t’i ikë askush. Përveç kësaj, ekziston edhe një aktgjykim i qartë i Gjykatës Kushtetuese në rastin e PAN-it që thotë se kompetenca e qeverisë për propozim dhe zbatim të politikës së jashtme nuk mund të tjetërsohet dhe as të bartet në të tjerët”.

Hasani e ka vlerësuar gabim faktin që kaq gjatë Kosova nuk ka dalë me propozim të vetin për Asociacionin, ku do ta bënte të qartë qëndrimin e saj rreth këtij mekanizmi.

“Sa më gjatë që shtyhet kjo punë, më favorshëm del pala tjetër. Kam frikë që në fund, përveç Asociacionit, do të detyrohemi të formojmë edhe një autonomi regjionale në veri të vendit, sepse nuk shoh si ka mundësi riintegrimi i tri pushteteve shtetërore në atë pjesë të vendit”, ka theksuar ai.

Ndërkaq eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se diskutimet janë të mirëseardhura, por e vlerëson rrugë të vështirë themelimin e këtij mekanizmi pa pjesëmarrjen e Qeverisë.

“Nuk e di se çfarë nënkuptojnë amerikanët (me iniciativën v.j). Kam dëgjuar se po inkurajojnë diskutimet mes shoqërisë civile për Asociacionin. Kjo më duket një ide e mirë. Mendoj se pikëpamjet lokale janë të rëndësishme. Asociacioni në një farë mënyre tashmë ekziston, përderisa komunat veriore organizohen dhe drejtohen nga Beogradi. Por jo, nuk do të jetë e mundur të themelohet një Asociacion i ligjshëm pa pëlqimin e Prishtinës”, ka thënë Serwer për “KOHËN”.

I pyetur nëse Kurti mund të ballafaqohet me pasoja nëse refuzon themelimin e Asociacionit, Serwer ka shtuar se presionet në të kaluarën nuk kanë funksionuar.

“Do ta lë qeverinë amerikane të flasë vetë për këtë temë. Presionet e kaluara nuk kanë funksionuar mirë. Në fakt ata kanë rritur popullaritetin e kryeministrave”, ka potencuar ish-diplomati amerikan.

Serbia nuk e dëshiron Asociacionin si organizatë joqeveritare

Pavarësisht obstruksioneve që ua bën marrëveshjeve, Serbia vazhdon të insistojë në Asociacion me kompetenca ekzekutive, edhe pse marrëveshja e vitit 2015 ishte vlerësuar kundërkushtetuese.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ky mekanizëm nuk mund të jetë vetëm një organizatë joqeveritare.

“Dua të them se tani është një luftë e madhe për Asociacionin, është e qartë se ata po përpiqen të thonë se 21 nga 22 parimet nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe prandaj nuk do ta bëjnë. Por, e pashë vendosmërinë e amerikanëve për këtë çështje, besoj në muajt në vijim do të përfundohet”, ka theksuar presidenti serb.

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, ka përmendur tri pikat kryesore mbi të cilat do të mbështetet themelimi i Asociacionit. E para, sipas tij, është marrëveshja e vitit 2013, e cila në gjashtë pikat e para flet për Asociacionin, pastaj marrëveshja e vitit 2015 si dhe rregullorja e punës së Ekipit Menaxhues për themelimin e Asociacionit.

Një draft-statut të Asociacionit e ka përpiluar edhe Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, për të cilin ka paralajmëruar ta mbajë një prezantim publik “në kohën e duhur”.

Derisa autoritetet në Kosovë nuk e kanë komentuar këtë lajm, presidenti i Serbisë ka thënë se hartimi i statutit të Asociacionit është punë e ekipit menaxhues, në bazë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, dhe jo e një organizate joqeveritare.

Angazhimet e deritashme rreth Asociacionit

Pavarësisht konstatimit të shkeljeve në të shtatë kapitujt e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i patën rinisur ish-Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa dhe më pas nga Ramush Haradinaj. Patën themeluar edhe Ekipin menaxhues për draftimin e statutit, në përbërjen e të cilit të gjithë kanë qenë serbë.

Në takimet e zhvilluara në terren me palët e ndryshme të interesit në zonat e populluara me shumicë Serbe, Ekipi Menaxhues pati shprehur përcaktimin që kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e Parë të Brukselit, duke anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Serbët kanë shprehur synimin për kompetenca ekzekutive të cilat iu mundësojnë mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimor e hapësinor. Pretendime për t’i futur nën autoritetin e Asociacionit/Bashkësisë ka edhe ndaj dy resurseve kryesore të Kosovës- Liqenin e Gazivodës dhe Trepçës. Ndërkaq dokumentet që i ishin përcjellë qeverisë pas këtyre diskutimeve gjatë qeverisjes Haradinaj, ishin kthyer mbrapsht për shkak të shkeljeve.

Në vitin 2016 ishte draftuar edhe statuti i Asociacionit, por që asnjëherë nuk është bërë publik. Krahas tij, në Qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti si dhe sqarimet shtesë për aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë i pati publikuar “KOHA”. Sipas ish-kryeministrit Mustafa, draft-statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk donin Asociacion sipas Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.