Arbëri

Qeveri në detyrë e pakufizuar në kompetenca

Foto: KOHA / Alban Bujari

Vendimi i parë që e ka marrë Albin Kurti si kryeministër në detyrë është shkarkimi i Avdullah Hotit nga pozita e zëvendëskryeministrit në detyrë. Lajmin Qeveria e ka kumtuar të mërkurën në mesnatë, diku dy orë pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit kundër saj, të iniciuar nga Lidhja Demokratike (LDK), nënkryetar i së cilës është Hoti.

Në Kuvend, Hoti bëri thirrje të votohej pro mocionit, pavarësisht se me këtë Kosova mbetej pa qeveri në kohën më kritike prej pasluftës, meqë tashmë vendi është përfshirë nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, nga e cila janë prekur 79 e një prej tyre ka vdekur.

Pro mocionit nuk votuan vetëm deputetët e LDK-së, por edhe ata të opozitës, si dhe shumica e deputetëve nga komunitetet. Kësisoj, pas 50 ditësh të nisjes së mandatit, nga mbrëmja e së mërkurës Qeveria ka ndërruar statusin – tani është në detyrë.

Kryeministri Kurti ka thënë se do të vazhdojë si qeveri në detyrë.

“Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar”, ka deklaruar ai të enjten. “Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë COVID-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë”.

Kushtetuta dhe as ndonjë ligj apo akt nënligjor nuk ia kufizon ndonjë kompetencë Qeverisë gjatë të ushtruarit të mandatit në detyrë.

Flamur Hyseni, profesor në Katedrën Kushtetuese të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, ka rikujtuar se Kushtetuta përveçse e njeh si Qeveri në dorëheqje, nuk ka ndonjë dispozitë në të që i saktëson kompetencat.

“Statusin e Qeverisë së dorëhequr e merr kur kemi dy momente: dorëheqje të kryeministrit ose mosbesim të suksesshëm të Qeverisë nga Kuvendi. Kuvendi ende nuk ka arritur të miratojë ligjin për Qeverinë, ligj i cili do t’i saktësonte kompetencat dhe institucionin e Qeverisë në dorëheqje. Në mungesë të bazës juridike të mjaftueshme, sipas praktikës parlamentare-qeverisëse, Qeveria në dorëheqje, pavarësisht se a është e mosbesuar apo ka dhënë dorëheqje kryeministri, punon njëjtë me të gjitha kapacitetet, përveçse nuk ka të drejtë të iniciojë projektligje dhe, si rrjedhojë e kësaj, Kuvendi mbetet ‘pa punë’ dhe në një afat të arsyeshëm vetëshpërndahet sipas Kushtetutës, neni 82.2”, ka thënë Hyseni. “Kjo situatë e ka një të metë, sepse ndaj Qeverisë së dorëhequr mungon kontrolli demokratik parlamentar, sidomos nga momenti kur Kuvendi shpërndahet dhe kur dihet se te ne është krijuar një praktikë ku formimi i koalicionit qeverisës merr shumë kohë (Qeveria në dorëheqje e fundit ishte në këtë status mjaft gjatë, nga 19 korriku i 2019-s deri më 3 shkurt 2020)”.

Në Qeveri e kanë thënë të njëjtën gjë.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë, i ka thënë gazetës se ekzekutivi do të vazhdojë t’i përmbushë të gjitha punët dhe detyrat e veta në funksion të përgjegjësive që bien mbi të.

“Pavarësisht vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të datës 25 mars, vendim ky i cili për asnjë moment nuk erdhi si rezultat i mungesës së performancës në punë ose keqmenaxhimit të situatës me COVID-19, Qeveria e Kosovës, sot sikurse dje dhe njëjtë sikurse nesër, do të vazhdojë punën e saj në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me vëmendje të veçantë në shëndetin publik të saj”, ka theksuar Kryeziu. “Si qeveri në detyrë, Qeveria Kurti, në përjashtim të mundësisë që të sponsorizojë nisma legjislative, ajo gëzon kompetenca të plota dhe të rregullta deri në zgjedhjen e qeverisë së re”.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.