Gjatë muajve të fundit shumica e qendrave për punë sociale në nivel të vendit po përballen me grumbullim lëndësh si pasojë e mungesës së kuadrove profesionale.
Secili zyrtar social ngarkohet me qindra lëndë të ndryshme.
Por Qendra për Punë Sociale në Ferizaj ka mbetur vetëm me gjashtë zyrtarë, pasi kohëve të fundit pesë zyrtarë kanë dalë në pension.
Dashurije Ahmeti, kryetare e Sindikatës së zyrtarëve socialë në nivel vendi, ka thënë se këta punëtorë janë të ngarkuar me punë shtesë.
Andaj, kryetarëve të komunave u kërkohet që të rrisin numrin e kuadrove profesionale.
“Ata nuk paguhen për punë shtesë, jo rrallë u përgjigjen institucioneve, në këtë rast Policisë në orë të ndryshme gjatë ditës dhe natës. Janë një numër i vogël i komunave që e kanë zgjidhur këtë problematikë, por jo të gjitha komunat e kanë marrë përgjegjësinë që të kenë pagesa për zyrtarët që u përgjigjen krejt kërkesave”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti sqaron se zyrtarët janë të ngarkuar me telefona kujdestarë dhe gjatë gjithë muajit janë të obliguar t’u përgjigjen thirrjeve të institucioneve për intervenim.
Ndërkaq, Adelina Rexhepi-Braha, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në QPS në Ferizaj, ka thënë se me gjashtë punonjës socialë është shumë e vështirë t’i trajtojnë të gjitha lëndët e grumbulluara.
“Më të vërtetë është një numër i madh i rasteve edhe të kategorive të ndryshme që kërkojnë ndihmë, duke filluar nga problemet bashkëshortore, problemet familjare, delikuenca e fëmijëve në situatë rruge, fëmijët me sjellje të vështira sociale... Vërehet një numër i madh kërkesash dhe është sfidë për Qendrën për Punë Sociale që t’i trajtojmë mirëfilli këto kategori, dhe stërngarkimi i punëtorëve është shumë i madh”, u shpreh Rexhepi-Braha.
Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt zotohet për një zgjidhje të shpejtë të kësaj çështjeje.
“Kemi një mungesë të stafit prej pesë punëtorësh që kanë dalë në pension. Në të njëjtën kohë nevojat janë edhe më të mëdha për staf, marrë parasysh se merren me lëndë të ndryshme. Komuna kohëve të fundit ka zgjedhur ekspertin i cili do të merret me këtë konkurs dhe konkursi do të mbahet në MAPL në Prishtinë”, ka thënë Kemajl Emini, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Ferizajt.
Në QPS të Ferizajt brenda muajit shqyrtohen qindra lëndë të fushave të ndryshme.