Rreth tre vjet më parë Ferizaj ishte bërë Komuna e parë që inauguroi Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Qëllimi i saj ishte zhvillimi i talenteve të reja të kësaj komune.
Por që nga atëherë ky objekt asnjëherë nuk është funksionalizuar shkaku i mungesës së burimeve njerëzore.
Komuna ka tentuar që atë ta jepte në shfrytëzim për organizatat joqeveritare, por edhe ky proces është zvarritur.
Kenan Gashi, drejtor i rrjetit të OJQ-ve “Avonet” ka akuzuar pushtetin për mosmenaxhim të mirë.
“Deri më tani kjo qendër nuk ka qenë funksionale dhe nuk ka pasur mundësi të administrohet dhe nuk ka pasur mundësi administrative dhe ligjore se si mund të menaxhohet përderisa kjo qendër apo ky objekt ka kapacitete të mjaftueshme për të zhvilluar dhe ngritur kapacitetet tek të rinjtë në fushën e ndërmarrësish po ashtu edhe në aspektin e inovacionit”, ka deklaruar Gashi.
Gashi ka kërkuar nga institucionet komunale që sa më shpejt të hapet ky objekt me qëllim që të rinjtë të avancohen më shumë në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Drejtori për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, Lulzim Aliu, ka thënë se Komuna ka mungesë të kapaciteteve njerëzore.
“Qendra e inovacionit ka qenë ndër projektet më të mira që ka filluar në mandatin e kaluar, por fatkeqësisht ka qenë një prej projekteve që e ka pasur fatin e keq të zhvillimit dhe për katër vite apo tre vite kur është themeluar kjo qendër e inovacionit nuk kemi mundur të gjejmë mënyrën ligjore për funksionalizimin e kësaj qendre”, ka thënë Aliu.
Aliu ka shpjeguar se së fundi procesi i fushatës zgjedhore i ka penguar Komunën dhe Kuvendin që të marrin një vendim për dhënien në shfrytëzim të këtij objekti.
“Janë paraqitur dy shoqata joqeveritare të cilat kanë paraqitur programin e tyre se si mund ta funksionalizojnë, por për shkak të ligjit të zgjedhjeve, kjo është anuluar. Tash riformimit të qeverisë së re deri kah mesi i dhjetorit kur të certifikohen të gjitha rezultatet, atëherë do të nisin procedurat e reja dhe po besoj që brenda dy muajve në fillim të vitit 2022 qendra e inovacionit do ta marrë formën”.
Sipas Aliut, një numër i madh i të rinjve kanë ide kreative në fushën e teknologjisë, andaj ky objekt do të funksionojë për të gjithë të rinjtë të cilët dëshirojnë të zhvillohen në këtë drejtim.