Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se liberalizimi i tregut të hapur të energjisë elektrike po që se ndodh pa parapërgatitje dhe pa masa të përshtatshme për krijimin e një faze të lehtë tranzitore për bizneset, krijon tendenca të monopolit në treg.
Ai ka shtuar se kjo përkthehet në rritje të çmimeve për konsumatorët, gjë që i bie se cenon qytetarët e Kosovës.
“Ligji e përcakton qartë që liberalizimi i tregut të hapur të energjisë duhet të ndodhë, është vonuar si proces, por që në rrethanat e tanishme vendosja e një kriteri të tillë të shpejtë pa një parapërgatitje e pa marrë masa të përshtatshme për ta krijuar një fazë tranzitore që bizneset të mund të kalojnë në këtë treg, krijon edhe tendenca të monopolit në treg, por i vendos në vështirësi edhe bizneset, që do të përkthehet në rritje të çmimeve për vetë konsumatorët dhe në instancë të fundit do të cenohen qytetarët e Kosovës. Kemi kërkuar me një masë të përkohshme nga ZRRE-ja që ta pezullojë ekzekutimin e këtij vendimi, por nuk e ka bërë një veprim të tillë”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Qelaj tutje ka thënë se si institucion i janë drejtuar Gjykatës së Apelit me opinion ligjor për pezullimin e vendimit të ZRRE-së.
Qelaj: Pesha e çantave te fëmijët e shkollës fillore dëmton shëndetin e tyre
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësimet lidhur me peshën e çantave te fëmijët e shkollës fillore.
Ai ka thënë se ekspertët kanë vlerësuar se kjo peshë prej 5-6 kilogramësh, dëmton shëndetin e tyre.
“Ekspertët kanë konstatuar se pesha a çantave të nxënësve të ciklit të ulët të arsimit, të shkollës fillore, është nga pesë deri në gjashtë kilogramë. Sipas ekspertëve, shkakton mbingarkesë fizike te nxënësit duke krijuar dëmtim të shtyllës kurrizore. Pra, një peshë e tillë e çantave për fëmijët e shkollës fillore dëmton shëndetin e tyre dhe kjo paraqet shkelje dhe cenim të të drejtave të tyre. Kemi kërkuar nga komunat që t’i funksionalizojnë dollapët për vendosjen e çantave, kemi konsideruar që kjo mund të jetë zgjidhje e përkohshme”, ka thënë ai.
Një tjetër shqetësim i shprehur nga ai ështqë edhe dhuna në shkolla, sikurse nga bashkëmoshatarët, ashtu edhe nga mësimdhënësit, si dhe diskriminimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në raport me qasjen e tyre në arsim.
“Dhuna në shkolla është e shprehur, kemi parë që autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë hapa për të vepruar që të përmirësohet situata... Ka diskriminim në raport me qasjen në arsim për fëmijët me aftësi të kufizuar. Ka mungesë të të dhënave, sot ne nuk e dimë se sa fëmijë me aftësi të kufizuara janë pjesë e arsimit gjithëpërfshirës”, ka thënë ai.