Kundërshtimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e kryeministrit Albin Kurti dhe qeveritarëve të tjerë nëpër intervistat televizive nuk është mishëruar edhe me dokumentet e miratuara nga ekzekutivi. Në dokumentet që burojnë prej marrëdhënies kontraktuale Kosovë-BE, Qeveria është zotuar në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit
Qëndrime kundërthënëse ka dhënë qeveria sa i përket zbatimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në intervistat e fundit të kryeministrit për mediat e huaja është përjashtuar mundësia e implementimit të Asociacionit. Kurti ka thënë se nuk do të lejojë të përsëritet Bosnjë-Hercegovina në Kosovë dhe se marrëveshjet për këtë mekanizëm, përfshirë atë të vitit 2013, tani kundërshtohen nga të gjithë liderët e shtetit.
“Duan ta përsëritin Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë, pavarësisht nëse jam në opozitë apo qeveri. Për këtë më votuan njerëzit, të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës. Jam i bindur se me programin tonë do të ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse pyesni serbët në Kosovë se cilat janë shqetësimet e tyre kryesore, ata thonë punësimi dhe drejtësia. Beogradi dëshiron të ketë shtet brenda një shteti. Shtetin e Serbisë brenda Kosovës së pavarur”, ka thënë Kurti në një intervistë për BBC-në.
Njësoj janë deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Por ndryshe veprohet në dokumentet e miratuara nga ekzekutivi, të cilat derivojnë nga marrëdhënia kontraktuale me Bashkimin Evropian.
Mbështetur në Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (MSA) 2021-2025, i miratuar muajin e kaluar, ekzekutivi ka shfaqur përkushtim në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve.
Aty përmendet edhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ku Qeveria thotë se do të veprohet sipas Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Në dhjetor 2015 Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktgjykim lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Qeveria e Kosovës gjithnjë do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në program.
Marrëveshja e parimeve për Asociacionin/Bashkësinë e nënshkruar në gusht të vitit 2015 ishte shpallur antikushtetuese. Por Kushtetuesja në asnjë pikë nuk e ka rrëzuar Asociacionin teksa rekomandon që përmirësimet të bëhen me rastin e draftimit të statutit, sipas marrëveshjes së vitit 2013.
“Të konstatoj që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumice serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykim. “Kësisoj, themelimi i Asociacionit/Bashkësisë është bërë pjesë e sistemit të brendshëm juridik”, thuhet në përfundimet e aktgjykimit.
KOHA ka pyetur në Zyrën e kryeministrit për qasjen kundërthënëse rreth Asociacionit dhe nëse kanë një interpretim ndryshe prej Kushtetueses për të, por ka munguar përgjigjja.
Këtë javë zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë rikujtuar se Qeveria duhet t’i përmbushë obligimet dhe se janë në pritje të negociatave për statutin e Asociacionit në Bruksel.
Për Asociacionin ka folur edhe presidenti i Serbisë të mërkurën, duke thënë se ai do të formohet me kompetenca ekzekutive ose nuk do të bëhet fare.
“Asociacioni do të bëhet me kompetencat që jemi marrë vesh në Bruksel ose faleminderit në punën tonë, ju tuajën dhe do të takohemi një ditë”, ka thënë Vuçiqi. Ai ka ironizuar edhe me deklaratat e Kurtit dhe Osmanit.
“Më së miri është që Asociacioni të ketë të drejtën të prodhojë qese për krembanane. Eventualisht tri shkrepëse dhe dy lapsa për fundvit dhe kështu Vjosa Osmani të jetë e lumtur”, ka theksuar ai.
Edhe gjatë dialogut të qeverisë aktuale nuk u ishin shuar përfundimisht shpresat serbëve për ta pasur Asociacionin e tyre në Kosovë.
Pas takimeve të zhvilluara në korrik qeveritarët patën thënë se çështjen e Asociacionit e marrin seriozisht kur Serbia t’i ketë shpërbërë strukturat paralele, të cilat i mban gjallë në fushën politike, të arsimit, ekonomisë e shëndetësisë.
Pavarësisht konstatimit të shkeljeve në të shtatë kapitujt e marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, angazhimet rreth themelimit të Asociacionit i patën rinisur ish-Qeveria Mustafa dhe Haradinaj. Patën themeluar edhe Ekipin Menaxhues për draftimin e statutit, në përbërjen e të cilit të gjithë kanë qenë serbë.
Në takimet e zhvilluara në terren me palët e ndryshme të interesit në zonat e populluara me shumicë serbe, Ekipi Menaxhues pati shprehur përcaktimin që kompetencat e Asociacionit së komunave me shumicë serbe të mbeten ashtu siç janë përcaktuar në Marrëveshjen e Parë të Brukselit, duke anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Serbët kanë shprehur synimin për kompetenca ekzekutive të cilat iu mundësojnë mbikëqyrje të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimor e hapësinor. Pretendime për t’i futur nën autoritetin e Asociacionit ka edhe ndaj dy resurseve kryesore të Kosovës - Liqenin e Gazivodës dhe “Trepçës”.
Angazhimet rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe morën intensitet në vitin 2016, kur ishte miratuar një draft statuti, por që asnjëherë nuk ishte bërë publik. Krahas tij, në ish-qeverinë Mustafa ka qarkulluar edhe dekreti, si dhe sqarimet shtesë për aktgjykimin e Kushtetueses, dokumente këto që për herë të parë i pati publikuar KOHA. Sipas ish-kryeministrit Mustafa, draft-statuti nuk ishte prezantuar asnjëherë në Bruksel për shkak të refuzimit të serbëve, të cilët nuk dëshironin Asociacion sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2015.