Nuk ka kaluar rendi i ditës në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet lokal, Media dhe Zhvillim rajonal, ku ka pasur të raportojë Komisioni i Pavarur për Media.
Deputetët e pushtetit dhe opozitës kanë hedhur akuza mbi njëri-tjetrin për mosvotim të rendit të ditës dhe mospjesëmarrjen e disa deputetëve në komision.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se nuk ka kuptim të vazhdojë mbledhja nëse nuk është votuar rendi i ditës.
“Meqë nuk kaloi rendi i ditës dhe ju e dini që e kemi bërë publike që nuk marrim pjesë në votim ju si mazhorancë është dashur ta bëni kuorumin dhe sigurisht që kjo mbledhje nuk ka arsye të vazhdojë”, ka thënë ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, ka thënë se është papërgjegjësi e opozitës mosvotimi i rendit të ditës.
“Ju vetë keni kërkuar këtë rend ditë dhe sot nuk votoni për diskutimin, jo për ligjin, për diskutimin kjo është e papërgjegjshme”, ka thënë ai.
Lushtaku i është përgjigjur duke i thënë se “e papërgjegjshme është të mos marrin pjesë në komision deputetët e pushtetit”.
Ramadani ka thënë se nuk është e drejtë që në mbledhje të komisionit dhe në seanca deputetë të nënshkruajnë dhe të marrin mëditje.
“Në këtë diskutim ku e keni kërkuar bashkë me ne, nuk merrni pjesë për ta votuar as rendin e ditës në anën tjetër nënshkruani dhe merrni mëditje kjo nuk është e drejtë”, ka thënë ai.
Deputeti Agim Veliu e ka kundërshtuar duke i thënë se pushteti po tenton ta disiplinojë opozitën.
“Ti mendon ashtu po unë mendoj ndryshe, ju kërkoj si kryetar nëse mendoni që është e padrejtë diçka na ofro argumente se pse nuk është e drejtë. Kjo që ju po insistoni me disiplinu opozitën që opozita të bëjë çka doni ju nuk mundeni me e arritë. Diskutoni me zyrën Ligjore kërkoni interpretim”, ka thënë ai.
Mbledhja është shtyrë për të premten në mungesë të kuorumit për vendimmarrje.