Për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin tetor, rreth 700 punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës do të mbajnë të hënën grevë njëorëshe. Situata në televizionin publik po vlerësohet si alarmante nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së. Më herët punonjësit kanë mbajtur tri protesta për këtë çështje
Të hënën Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës do të mbajë grevë njëorëshe për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin tetor.
Rreth 700 punëtorë të RTK-së ende nuk i kanë marrë pagat e tyre, pavarësisht se më herët kanë zhvilluar tri protesta për këtë çështje.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, ka thënë se situata ka marrë përmasa alarmante.
Bimbashi ka bërë të ditur se Sindikata u është drejtuar të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian, përfshirë presidentes së Komisionit Evropian, kryetarit të Parlamentit Evropian dhe raportueses për Kosovën, lidhur me gjendjen e rëndë në televizionin publik
“Situata, e ritheksoj, është shumë e rëndë. Shumë prej kolegëve tanë nuk munden me ardhë me kry punën e vet, ndonëse kanë kontrata të rregullta ligjore. Kjo nuk është vetëm krizë financiare, është krizë identiteti. Mendoj që është shkelje e të drejtave të njeriut, se me punu, me pasë kontratë, e mos me u pagu është skandaloze”, ka thënë ai.
Për situatën e krijuar në RTK presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtunën i është drejtuar me një letër kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, ku ka kërkuar formimin urgjent të Komisionit për Buxhet dhe Financa.
Osmani në letër ka theksuar se mungesa e këtij komisioni është pengesa kryesore për ekzekutimin e pagave pasi, sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, ky komision është organi i vetëm që mund të marrë vendim për ndarjen dhe transferimin e mjeteve financiare për RTK-në.
Por Bimbashi kërkon që zgjidhja të mos pritet deri në formimin e komisionit.
“Unë i bëj thirrje kryeministrit Kurti dhe të gjithë akterëve që, para se të themelohet komisioni, të gjejnë një zgjidhje urgjente, sepse situata është emergjente. A e dini sa punëtorë të RTK-së kanë nevojë për barna, për sëmundje të ndryshme? Sëmundjet nuk presin kushte financiare. Ndërkohë që pagat në televizionin publik nuk kanë pasur asnjëherë rritje. Paramendoni çfarë propagande është bërë”, ka thënë Bimbashi.
KOHA u është drejtuar të gjitha partive politike për të pyetur se cili do të jetë qëndrimi i tyre pas kërkesës së presidentes.
Por, vetëm deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, është përgjigjur duke u shprehur se kjo parti gjithmonë është e gatshme për formimin e këtij komisioni.
“Lëvizja VETËVENDOSJE mbështet themelimin e komisioneve të përhershme për të trajtuar me urgjencë buxhetin e RTK-së, marrëveshjet financiare ndërkombëtare dhe buxhetin 2026”, ka thënë Muja.
Vetëm tri ditë më parë anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi, i është përgjigjur ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me çështjen e buxhetit dhe punëtorëve të RTK-së, duke thënë se Qeveria mund ta ndajë buxhetin për RTK-në, sepse nëse ka shpërndarë nga 100 euro për studentët pa asnjë bazë ligjore, sipas tij, atëherë mund ta përdorë të njëjtën praktikë edhe për punëtorët e RTK-së.
Kjo nuk është hera e parë që punonjësit e RTK-së përballen me këtë situatë.