Arbëri

Punëtori i Trepçës dënohet me 30% të pagës për pesë muaj pasi e zuri gjumi në punë

Minatori i Trepçës

Foto: Driton Paçarada

Miniera e Trepçës e ka dënuar punëtorin A.A. me 30 për qind ulje të pagës mujore për pesë muaj, pasi është kapur duke fjetur në vendin e punës.

Sipas njoftimit nga ndërmarrja publike Trepça në Facebook, më 6 gusht është mbajtur një shqyrtim publik nga Komisioni Disiplinor, ku është konstatuar se punëtori në fjalë ka kryer një shkelje të rëndë të detyrave të punës, “në përputhje me Rregulloren për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A”.

Në vendimin e komisionit theksohet se është shkelur neni që ndalon “fjetjen në vendin e punës gjatë orarit të punës”.

Bazuar në këtë shkelje, Komisioni Disiplinor rekomandoi masë disiplinore ulje page prej 30 për qind për gjashtë muaj, ndërsa më 7 gusht, kryeshefi ekzekutiv ka miratuar vendimin final që parasheh ulje të përkohshme të pagës për periudhën pesëmujore.

Ndërmarrja ka bërë të ditur se ky dënim është në përputhje të plotë me rregulloren në fuqi dhe synon të ruajë disiplinën dhe përgjegjësinë në vendin e punës.