Arbëri

Punëtorët e Trafikut Urban kërkojnë përgjegjësi nga Komuna, Rama takim urgjent me Qeverinë

Punëtorët e Trafikut Urban kërkojnë përgjegjësi nga Komuna

Foto: Driton Paçarada

Përfaqësuesi i sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, ka thënë se punëtorët e kësaj ndërmarrje kërkojnë përgjegjësi nga Komuna e Prishtinës për borxhet e deritashme. E kryetari Rama ka kërkuar takim urgjent me Qeverinë në detyrë.

Nga dita e dytë e protestës, në një deklaratë për media Gashi ka kërkuar falje për ndaljen e shërbimeve. Ai ka kërkuar që Komuna të marrë përgjegjësinë për larjen e borxhit.

“U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve të Prishtinës që e kanë shfrytëzuar transportin publik, trafikun urban dhe ata privatë në bashkëpunim me Komunën... për mungesë të reflektimit të komunës, ku ajo po është e bazuar me të drejtë që në baza kontraktuale është borxhli i Trafikut Urban. Shuma e borxhit është 3.2 milionë euro”, ka thënë ai.

Gashi ka thënë se Ministria e Financave i ka alokuar 3.2 milionë euro te komuna, e nga to komuna 600 mijë i ka ndarë për Trafikun Urban.

“Nuk i mbulon shpenzimet e naftës që i kemi borxh një milion. 800 mijë punëtorëve në rroga. 100 mijë po na shkëputen kontrata me sigurimin shëndetësor. Ju lutem janë 1.6 milionë euro borxh. Komuna nuk po reflekton, po na detyron neve kinse Ministria nuk i ka alokuar paratë. Ne ishim në Ministri, u takuam me ministrin. Kontaktuam, ata u zotuan se nëse komuna apo asambleja nxjerr një vendim për bartjen e të hyrave vetanake për vitin 2024, sapo të dalë ai vendim e ia përcjell ministrisë, ajo është e gatshme t’i alokojë mjetet”, ka thënë tutje Gashi.

“Ne jemi sektori publik i transportit. Thërrasim komunën, kryetarin të dalë para masës. Ne jemi punëtorë të komunës. Është e drejtë e jona ta lypim përgjegjësinë aty. Ku shkoi ai dhe e hap derën, për ne le ta merr përgjegjësinë ai”, ka përfunduar ai.

Përplasje mes organizatorëve të protestës së transportuesve publikë dhe privatë në Komunën e Prishtinës - VIDEO:

"As nuk jemi për dr'ogë as hajni... asnjo🚍 nuk livrit" - Protestuesit sqarohen para policisë:


Ndërkaq kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media ka fajësuar sërish qeverinë në detyrë për, siç ka thënë, mbajtje peng të mjeteve që duhet të ndahen për komunën. 

“Ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokadat që po i bëhen kryeqytetit prej ministrisë së Financave në mënyrë të jashtëligjshme. Dje ishim edhe me protestuesit përpara Ministrisë së Financave, përpara Qeverisë ku unë kërkova takim urgjent me ministrin e kryeministrin, por ata refuzuan të takohen. Jam edhe sot i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë dhe ta zhbllokojmë këtë proces. T’i lëmë prapa politikat bllokuese të mbrapshta, fondet që na takojnë me ligj të transferohen menjëherë e të dalin pagat. Jam i gatshëm për çfarëdo mënyre alternative që ta zgjidhim këtë problem e të zhbllokohet procesi. Zgjidhja është shumë e thjeshtë, menjëherë mund të bëhet nga ministri. Fondet janë tonat, nuk ka asnjë bazë ligjore që t’i mbajë peng”, ka thënë ai në konferencën për media.

Rama ka shtuar se janë marrë edhe masa tjera, si thirrja e seancës së jashtëzakonshme për të enjten, ku asamblistët, sipas tij, do të votojnë edhe për bartjen që ka qenë e bllokuar. 

Ai ka shtuar se pasi të zgjidhet çështja me transportuesit urbanë do të shqyrtohet edhe thirrja për betimin e asamblistëve të rinj.

“Nuk kemi pasur kohë dje e sot të merremi me këtë çështje për shkak të situatës së krijuar”, ka thënë ai.

Lexo përditësimet tjera
Trafiku urban

Transportuesit publikë ndryshojnë formën e protestës

Protesta e transportuesve publikë dhe privatë në Komunën e Prishtinës, për shkak të mospagesës, sot po...