Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, Laura Pula, ka paralajmëruar se nuk do të amnistojnë askënd që ka manipuluar me vota pavarësisht funksionit që ka.
Gjatë konferencës për shtyp në Malishevë të mërkurën, Pula ka thënë se arrestimet në Prizren e sot në Malishevë janë kryer të mbështetura në provat.
“Veprime tona dërgojnë mesazh të qartë, veprat penale kundër votimit do të zbulohen. Nuk do të amnistohet asnjë person pavarësisht funksionit që ka”, ka thënë ajo.
Pula e ka pranuar se hetimi është mjaft i komplikuar, por duhet durim për të ardhur te qëllimi kryesor.
“Është hetim i mirëfilltë, mjaft i komplikuar kur kemi të bëjmë me persona të tretë që janë të përfshirë në këtë proces. Prandaj duhet më shumë durim për të ardhur te qëllimi kryesor. Nuk do të amnistohet asnjë person pavarësisht funksionit që ka. Vetëm të kemi prova. Mos ta marrim në qafë dikë pa faj, ta ndalojmë e pastaj ta lirojmë”, ka shtuar Pula.
Gjatë ditës së sotme, 15 kryekomisionerë në Malishevë janë ndaluar për 48 orë mbi dyshimet për dallavere me vota. Për 43 komisionerët ende po vlerësohet se çfarë mase do të merret. Ndërkohë 10 të tjera do të intervistohen ditëve në vijim.
Javën e kaluar, në Prizren u ndaluan 109 persona mbi dyshimet e njëjta. 23 prej tyre u dërguan në paraburgim.