Arbëri

Pula për Bordin e Paqes: Duket si një lloj klubi privat i Trumpit

Besnik Pula, profesor i asociuar në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin “Virginia Tech”, ka vlerësuar se Bordi i Paqes, e themeluar nga presidenti amerikan Donald Trump, nuk ka legjitimitet ndërkombëtar dhe më shumë i ngjan një klubi privat sesa një organizate serioze globale.

Bordi i Paqes u themelua të enjten gjatë një ceremonie në Forumin Ekonomik në Davos të Zvicrës, për të cilën nënshkruan 19 shtete, përfshirë Kosovën. Shtetet më të fuqishme të Evropës kanë refuzuar pjesëmarrjen.

Pula u shpreh se kjo nismë duket si një mekanizëm personal i Trumpit për të mbledhur rreth vetes persona dhe shtete që pajtohen me të. Sipas tij, dërgesa e më pas anulimi i ftesës për Kanadanë tregon joseriozitet dhe dëshmon se bëhet fjalë për një lojë personale, e cila nuk do të duhej të kishte hapësirë në një organizatë ndërkombëtare që pretendon të jetë serioze.

“Nisma do të ekzistojë me shtetet që kanë pranuar, përfshirë Kosovën, por nuk e di sa ndikim real do të ketë kjo organizatë në promovimin e paqes. Trumpi mund ta përdorë këtë për të thënë se ka zgjidhur konflikte”, u shpreh Pula në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai theksoi se, duke pasur parasysh prirjen e Trumpit për politikë transaksionale – “ti ma jep këtë, unë ta jap atë” – kjo nismë mund të përdoret si instrument për të ushtruar ndikim mbi disa shtete që të ndryshojnë qëndrim ndaj Kosovës. Megjithatë, Pula shprehu skepticizëm për efektet reale të një qasjeje të tillë, duke përmendur se ka shtete, si Bjellorusia, që në asnjë rrethanë nuk do ta njihnin Kosovën.

“Ky mekanizëm mund të krijojë hapësirë për marrëveshje të ndryshme me Trumpin, por nuk besoj se do të ketë ndikim të madh diplomatik për njohje të reja të Kosovës, përtej nivelit aktual”, ka thënë ai.

Duke folur për mandatin e dytë të Trumpit, Pula vlerësoi se po shohim një ashpërsim të agjendës ‘Amerika e para’, si në ekonomi ashtu edhe në menaxhimin e marrëdhënieve transatlantike. Sipas tij, ajo që në mandatin e parë ishte kryesisht tension retorik, tash është shndërruar në tension real, përfshirë masa konkrete dhe kërcënime me përdorim force.

Ai përmendi politikën më radikale tarifore dhe strategjinë eksplicite për të shfrytëzuar ndarjet brenda Evropës, duke veçuar rastin e Grenlandës, të cilin e cilësoi si kërcënim të paprecedentë për sovranitetin e Danimarkës në 80 vjetët e fundit.

Pula theksoi se kërcënimet për përdorim force nuk kanë mbështetje as në Kongresin amerikan dhe as te opinioni publik, duke shtuar se mbi 80 për qind e amerikanëve kundërshtojnë aneksimin e Grenlandës.