Gjykata Kushtuese e Kosovës ka publikuar të hënën aktgjykimin e plotë lidhur me bllokadën në Kuvend.
Aktgjykimi i publikuar është ndaj kërkesave të bëra nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Në vendimin e publikuar më 8 gusht Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Në njoftimin e publikuar të premten thuhet se Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Po ashtu sipas njoftimit, Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata ka urdhëruar kryesuesin që nga seanca e radhës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës - procedimi i votimit të kryeparlamentarit.
Masa e përkohshme ishte mbajtur në fuqi deri në publikimin e aktgjykimit dhe publikimit në Gazetën Zyrtare, që u bë sot.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës konstituive, por dështuan. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.
“Tashmë, me publikimin e aktgjykimit të plotë - sapo i njëjti të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare (mbase deri nesër më së largu), duhet të thirret seanca e radhës e Kuvendit”, ka shkruar në Facebook, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Vendimi i Kushtetueses:
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit, dhe
rregullat 46 (4) dhe 48 (1) (a) dhe 72 të Rregullores së punës, më 7 gusht 2025, vendosi:
I. TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së
Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të
gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të
pavlefshme;
III. TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të
Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës
Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025
dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116
[Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
IV. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës
Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit
të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me
paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës
së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar
për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së
Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votim i cili mund të
realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;
V. TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës
së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit],
nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës
së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të
Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;
42
VI. TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur
të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit
67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së
Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së
Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30
(tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;
VII. TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri
në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
VIII. T'UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
IX. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në
pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën
Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
X. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.
LDK: VV-ja tentoi bllokimin e institucioneve, vendimi i Kushtetueses fitore për demokracinë
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka deklaruar se ka mirëpritur vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas LDK-së “konstatoi antikushtetutshmërinë e përpjekjeve për të imponuar procedura të votimit të fshehtë gjatë seancës konstituive të Kuvendit”.
Sipas LDK-së, me këtë aktgjykim, Gjykata riafirmoi se kryesuesi i seancës konstituive nuk mund të veprojë jashtë përcaktimeve të qarta kushtetuese dhe nuk mund të shpikë procedura që minojnë rendin demokratik dhe ligjshmërinë.
Tutje theksohet se Gjykata sqaroi sërish se zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit duhet të zhvillohet rreptësishtë sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës – përmes votimit të hapur, deri në tre herë përpjekje për një kandidat, dhe brenda afatit kushtetues 30 ditor.
LDK-ja ka theksuar se ky vendim paraqet një fitore të madhe për demokracinë, ligjshmërinë dhe integritetin e institucioneve të vendit.
“Ai vërteton qëndrimin e LDK-së, e cila që nga fillimi ka insistuar se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje! përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës dhe tentim për të bllokuar funksionimin e institucioneve. LDK ka mbrojtur gjithmonë parimin se rendi kushtetues është i paprekshëm. Asnjë vullnet politik nuk mund të qëndrojë mbi supremacinë e Kushtetutës. Vendimi i sotëm i Gjykatës është jo vetëm fitore e LDK-së, por fitore e Republikës së Kosovës dhe e të gjithë qytetarëve që duan institucione funksionale, të ngritura mbi ligjshmëri, transparencë dhe norma demokratike”, thuhet në njoftim.
LDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që ta respektojnë në tërësi këtë aktgjykim.
“Kuvendi duhet të vazhdojë menjëherë, në përputhje me Kushtetutën, me zgjedhjen e udhëheqjes së tij përmes votimit të hapur. Çdo pengesë e mëtejshme do të ishte jo vetëm antikushtetuese, por edhe akt i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe vullnetit të tyre demokratik. LDK do të mbetet e vendosur në rolin e saj si mbrojtëse e ligjshmërisë, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike. Republika e Kosovës meriton institucione të forta, të lindura nga Kushtetuta dhe që i shërbejnë vetëm qytetarëve”, thuhet tutje në komunikatë.
Krasniqi bën thirrje të thirret sa më shpejt seanca e radhës
Kryetar i PDK-së, Memli Krasnqi, i ka bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari, që të thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, pasi të hënën u publikua nga Gjykata Kushtetuese aktgjykimi i plotë lidhur me bllokadën në Kuvend.
“Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të Kryesuesit të Seancës Konstituive. Ndërkohë, Kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit - me votim të hapur. Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime. I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kushtetuesja sqaron pse kufizoi votimin në tri herë për një kandidat për kryekuvendar
Gjykata Kushtetueses e Kosovës në vendimin për të kufizuar në maksimalisht tri votime një kandidat për kryekuvendar, ka marrë shembull edhe votimin për president të Kosovës dhe postin e Avokatit të Popullit që bëhet në Kuvend.
Gjykata në arsyetimin ka thënë se duke u bazuar se seanca konstituive e Kuvendit edhe pas afatit prëfundmimtar prej 30 ditëve që ishte caktuar me aktgjykimin e kaluar të Kusthtetueses nuk përfundoi, e konstaton se votimi i një kandidati apo kandidateje për kryetar të Kuvendit s’mund të realizohet më shumë se tri herë.
“Kufizimi në 3 (tre) raunde votimi për të njëjtin kandidat, duke u bazuar në frymën e Kushtetutës dhe zgjedhjen e krerëve të institucioneve, është mekanizëm mbrojtës që siguron që vullneti i qytetarëve i shprehur përmes zgjedhjeve parlamentare të mos manifestohet në një boshllëk institucional shtetëror, por të jetësohet përmes konstituimit të Kuvendit si ushtrues i sovranitetit dhe si organ me kompetenca legjislative dhe mbikëqyrëse. Gjykata këtë konstatim e ndërlidh edhe me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me votimin e krerëve të institucioneve tjera nga ana e Kuvendit (shih, nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës dhe nenin 9 (Zgjedhja e Avokatit të Popullit) të Ligjit Nr.05/L019 për Avokatin e Popullit), proces i cili zhvillohet brenda një afati të përcaktuar dhe përmes një numri të arsyeshëm të raundeve të votimit”, thuhet në arsyetimin e Kushtetueses.
Kushtetuesja ka vlerësuar që kufizimi i mundësisë së votimit të të njëjtit/es kandidat/e për Kryetar/e të Kuvendit deri në 3 (tre) herë konsiderohet si një mekanizëm dhe mundësi që deputetët e zgjedhur, në frymën e bashkëpunimit konstruktiv të në frymën e ushtrimit të mandatit të tyre kushtetues sipas përcaktimeve të Kushtetutës të arrijnë që realizojnë detyrimet e tyre kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit.
Kushtetuesja ka konstatuar se seanca duhet të vazhdojë te pika ku kishte mbetur më 8 prill, dhe votimi të bëhet i hapur.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstaton që Kryesuesi i Seancës Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë. Rrjedhimisht, Gjykata në vijim përcakton që deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi”, thuhet në aktgjykim.
Laban kishte kërkuar përjashtimin nga vendimmarrja, kërkesa iu refuzua
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se më 7 gusht gjyqtari Radomir Laban, për të cilin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se institucionet e sgurisë kanë konsideruar se përbën rrezik për rendin Kushtetues të Kosovës, kishte kërkuar të përjashtohej nga vendimmarrja nga rastet ndaj bllokadës në Kuvend.
Por, Gjykata tha se kërkesa iu refuzua njëzëri.
“Më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja nga rastet KO193/25 dhe KO196/25 si dhe KO215/25. Të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.
Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr të martën kërkesën e adresuar dy javë më parë në Gjykatën Kushtetuese për t’i definuar pasojat juridike që prodhohen pas dështimit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh.
Në një konferencë shtypi, ajo njoftoi se veprimin e ka ndërmarrë meqë gjykata e ka caktuar gjyqtar raportues Radomir Labanin.
Sipas Osmanit, në bazë të informacioneve të institucioneve të sigurisë, gjyqtari serb përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se gjyqtari i Kushtetueses, Radomir Laban, dyshohet nga autoritetet e sigurisë së Kosovës se është pjesë e BIA-s serbe. Haxhiu ka thënë se ky gjyqtar përbën kërcënim për rendin kushtetues të Republikës dhe se ai bashkëpunon edhe me përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.