Gazetari Besnik Krasniqi ka kritikuar interpretimet e opozitës për aktgjykimin e 26 qershorit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se po nxirret jashtë kontekstit një paragraf i vetëm nga një dokument prej 47-faqesh.
“Nga 47 faqe aktgjykim po merret vetëm një paragraf, dhe po përmendet çështja e praktikave të kaluara”, ka thënë Krasniqi në “Konfront”.
Sipas Krasniqit, në mesin e referencave që ka përmendur Kushtetuesja ka qenë edhe një paragraf i aktgjykimit të 2014-s, ku thuhet se “në seancën konstituive, të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë dhe të votojnë – qoftë në një seancë të hapur, qoftë të mbyllur”.
Siç thotë gazetari, Gjykata Kushtetuese në këtë rast nuk ka vendosur asnjë ndalim për votimin e mbyllur, siç po pretendon opozita.
“Aktgjykimi thotë: konstituojeni Kuvendin sipas Kushtetutës dhe Rregullores. Por as Kushtetuta, as Rregullorja nuk thonë nëse votimi duhet të jetë i hapur apo i mbyllur – ato qëndrojnë të heshtura për këtë çështje”, ka shtuar ai.
Ai gjithashtu u shpreh se meqë opozita po përmend praktika të mëhershme, atëherë “praktikë e mëhershme ka qenë që kandidati për kryetar Kuvendi gjithmonë është votuar”.
As pas 41 përpjekjeve, nuk është konstituar Kuvendi.
Sadiku: Nuk janë fajtorë 120 deputetët për krizën, por një parti politike
Gazetari Naim Sadiku ka deklaruar se përgjegjësia për krizën politike në Kuvendin e Kosovës nuk qëndron te të gjithë deputetët, por te Lëvizja Vetëvendosje e cila ka fituar zgjedhjet.
“Nuk duhet t’i hidhet faji deputetit, por partisë politike që i ka fituar votat. Deputeti është zgjedhur mbi siglën e një partie politike dhe duhet t’i përfaqësojë interesat e asaj partie”, ka thënë Sadiku në “Konfront” të KTV-së. .
Ai shtoi se është e rëndësishme të identifikohet qartë se kush mban përgjegjësi për zhvillimet aktuale.
“Duhet me bë me gisht kush është përgjegjësi për atë çka po ndodh. Nuk janë fajtorë 120 deputetët. Është veç një subjekt politik fajtor për atë çka po ndodh”, shtoi ai.
Deputetët sot për herë të 41-të dështuan ta konstituojnë Kuvendin.
Protestuesi tregon pse i çoi gomarët në Kuvend
Gjin Shatri që të enjten protestoi me disa gomarë para seancës së dështuar konstituive të Kuvendit, ka treguar simbolikën e protestës së tij.
Në “Konfront” të KTV-së, Shatri ka treguar se gomarët janë keqpërdorur vazhdimisht nga njerëzit që i kanë shfrytëzuar për punë që të nxjerrin bukën për familje. E sipas tij, tash populli po keqtrajtohet nga deputetët të cilët nuk po e konstituojnë Kuvendin tash e disa muaj.
“Qysh e dini edhe ju gomarët kanë veçori si punëtorë, të urtë e të sinqertë... të dëgjueshëm. Qe një muaj që kam menduar t’i sjell gomarët në Kuvend. Pse gomarë? Sepse me shekuj gjyshërit tanë kanë rritur fëmijë me punën e gomarëve. Gomarët e kanë bërë punën për bukën e fëmijëve tanë e sot deputetët, 100 prej tyre, sot këqyrin bukën e fëmijëve tanë me e marrë për veti. S’e kanë telashe se si ta bëjnë qeverinë, por vetëm se si ta stagnojnë këtë vend. Pikërisht qysh gomari shfrytëzohet për punë dhe në shumë raste keqtrajtohet, edhe këta deputetë e zgjedhur po e keqpërdorin popullin me sjelljet e tyre”, ka thënë ai.
Shatri ka thënë se nuk i është lejuar që gomarët t’i fuste te hyrja e Kuvendit dhe t’u vendoste medalje. Sipas tij, qytetarët duhet të protestojnë në format e tyre që t’u tregojnë deputetëve që “boll luajtët me votat tona”.
Mungesën e protestave ai e sheh si ndarje të shoqërisë në parti e jo në qëndrime konstruktive.