Arbëri

Protestojnë banorët e Butovcit, kundër futjes së fshatit në zonë të mbrojtur

Banorët e fshatit Butovc po protestojnë para Komunës së Prishtinës kundër futjes së fshatit të tyre në zonë të mbrojtur, e paraparë kjo me skenarin zhvillimor të kryeqytetit e cila do t’i paraprijë hartimit të hartës zonale.

Pas thirrjes për njoftim me skenarin zhvillimor të kryeqytetit, banorët po kërkojnë që edhe ata të kenë të drejtën e ndërtimit në tokat e tyre ashtu siç kanë të drejtë çdo fshat tjetër i Prishtinës.

Avokati i banorëve të Butovcit, Adren Bytyqi ka bërë thirrje për ndryshimin e këtij skenari dhe të caktohen kushtet e ndërtimit.

"Banorëve të fshatit Butovc po iu mohohet e drejta për ndërtim në tokat e tyre pasi sipas skenarit zhvillimor të qytetit ky fshat është futur në zonën e mbrojtur. Përkundër kërkesave të kamotshme ata nuk janë paralajmëruar as për shpronësim të tokave të tyre", tha Bytyqi.

Ata po bëjnë thirrje që para tyre të dal edhe kryetari, Shpend Ahmeti.

Ndërsa më 23 qershor të këtij viti këta banorët i janë drejtuar me një kërkesë kryetarit të komunës, për takim dhe drejtorit për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm për shqetësimet e ngritura sa i përket shfrytëzimit dhe ndërtimit të pronave në fshatin Butovc.

“Ju kryetar i përfaqësoni interesat e qytetarëve dhe nuk do të duhet të injoroni zërin e mbi 263 pronarëve dhe mbi 1000 qytetarëve, të cilët kanë parashtruar edhe peticion për këto çështje, të cilin peticion ju kemi dërguar juve më datë 05.02.2021” thuhet në këtë kërkesë.

Banorët më tutje kanë tërhequr vërejtjen se komuna me rastin e hartimit të planit zhvillimor rural për fshatin Butovc nuk ka konsultuar fare aspektet ligjore të vendosjes së statusit zonë e gjelbër dhe zonë e mbrojtur për pronat private, pa asnjë të drejtë të ndërtimit qoftë edhe ndërtim me gurë apo drurë.