Arbëri

Protestë e pushuesve kosovarë në Plazhin e Velipojës

Mungesa e rojave bregdetare, por edhe e kujdesit shëndetësor, shihet si shkak për vdekjet e shumta në plazhet e Shqipërisë, çdo vit. Në mënyrë që pushimet të mos kthehen më në tragjedi, protestuesit, kryesisht nga Kosova, kanë kërkuar vendosjen e rojave bregdetare dhe të shërbimeve mjekësore në disa zona të plazhit. Të shtunë, një 44-vjeçar humbi jetën në Plazhin e Velipojës. Pushuesit thonë se ndihma e shpejtë u vonua një orë

Një protestë e pazakontë ka ndodhur të dielën në Plazhin e Velipojes, në veri të Shqipërisë.

Vdekja e një 44-vjeçari nga Fushë-Kosova në Plazhin e Velipojës të shtunën, si pasojë e infarktit të pësuar në momentin që ka hyrë në ujë dhe vonesa për afro një orë e shërbimit mjekësor, kanë shtyrë pushuesit kosovarë të kthehen për pak kohë në protestues, në kërkim të të drejtave të tyre.

Turistët, shumica nga Kosova, e quajnë absurd faktin që në gjysmë të qershorit plazhi nuk ka rojë bregdetare dhe shërbim mjekësor për t'iu ardhur në ndihmë pushuesve.

Ata akuzuan shërbimet mjekësore se erdhën me një orë vonesë në vendin e ngjarjes, duke humbur të gjitha shpresat që 44-vjeçari të mbijetonte.

"Nuk po mund të flas. Ka qenë shumë e vështirë, unë e kam nxjerrë në breg. Dy persona kanë ardhur e më kanë ndihmuar. Më vjen shumë mirë që Policia ka reaguar, por erdhën vonë. Shkova e dhashë deklaratën, por më vjen shumë keq që nuk mundi të shpëtonte", tha pushuesi Hasan Aliu nga Kosova, që nxori nga deti 44-vjeçarin nga Fushë-Kosova të mbytur. “Më së pari i shprehim ngushëllime familjes që ka humbur të dashurin e tyre. Për ata jemi këtu për të dhënë një mesazh. Sa herë vijmë këtu kemi humbje të njerëzve. Pushteti e ka këtë detyrë. Po bëjmë apel, më tepër ne po e mbajmë shtetin se ai neve. Ne më këtu nuk vijmë nëse nuk marrin masa”, tha një protestues tjetër nga Kosova.

Në mënyrë që pushimet të mos kthehen në tragjedi edhe për vizitorë të tjerë, protestuesit kanë kërkuar vendosjen e rojave bregdetare dhe shërbimeve mjekësore në disa zona të plazhit.

Pas protestës së pushuesve nga Kosova ka reaguar Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Shkodër.

“Nisur nga shqetësimet e krijuara ditët e fundit, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Shkodër njofton gjithë pushuesit e Plazhit të Velipojës se Qendra Shëndetësore Verore në plazh është hapur që sot; dy ditë përpara datës së parashikuar. Gjithë pushuesit që shfaqin problematika shëndetësore mund të drejtohen pranë kësaj qendre që është në gatishmëri me ekip mjekësor dhe me të gjitha medikamentet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

Nisur nga ngjarja e pasdites të së shtunës në Plazhin e Velipojës, infermierja Vjollca Vocaj thotë se Qendra Shëndetësore në Velipojë është hapur dy ditë përpara nga data zyrtare e hapjes së sezonit.

"Duke filluar që ditën e sotme me rastin që ndodhi dje, Qendra Shëndetësore do të jetë e hapur tani në sezonin turistik. Do të jetë ambulanca 24 orë. Si çdo vit, medikamentet që i përmban QSH-ja dhe stafi komplet do të jetë në gatishmëri të pushuesve. Nga kërkesa e madhe e pushuesve që duan një Qendër Shëndetësore na bëri që ta hapim dy ditë përpara sezonit turistik. Shpresoj të vazhdojë plazhi dhe të mos kemi më gjendjen që pamë dje”, tha infermierja e Qendrës Shëndetësore në Velipojë, Vocaj.

Me gjithë pretendimet se Qendra Shëndetësore e Velipojës është hapur dy ditë para fillimit zyrtar të sezonit turistik, Bashkia e Shkodrës pretendon ndryshe. Të shtunën e 5 qershorit, Bashkia e Shkodrës në një njoftim tha se “megjithëse me vonesë, ka nisur zyrtarisht sezoni turistik edhe në Plazhin e Velipojës, më shpresën se ky do të jetë një sezon më i mirë se ai i një viti më parë”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, më herët bëri me dije se këtë vit në gjithë vijën bregdetare do të jenë 28 qendra shëndetësore verore, me kujdes 24 orë.

Shqipëria ka varur shpresat nga Kosova edhe për këtë sezon turistik, i dyti në kohë pandemie. Numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë në vitin 2020 është 1.379.360.

Turizmi në Shqipëri po fillon që të gjallërohet me shpejtësi pas humbjeve që u shënuan nga pandemia COVID-19. Sipas të dhënave nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave) hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me shpejtësi në prill, ku ndikimin kryesor e ka dhënë Kosova. Numri i hyrjeve të vizitorëve nga Kosova në Shqipëri ka shënuar shifrën e 136.022 personave, apo 21.13% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2019 (viti 2020 nuk merret si referencë pasi kufiri ka qenë i mbyllur për shkak të COVID-19).